Meta me Danilo Turk: Shqipëria e favorshme për investimet sllovene

Lubljanë, 14 shkurt, NOA- Shqipëria ka klimë të
favorshme për shtimin e investimeve të biznesit slloven.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm,
Ilir Meta i konfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për shtimin e investimeve
të huaja, Presidentit të Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk gjatë vizitës
zyrtare që Meta zhvilloi në Slloveni.
Në bisedën me Presidentin e Sllovenisë, Meta
tha se gjatë vizitës së tij në Ljubljanë, ka marrë sinjale të rëndësishme
që marrëdhëniet e shkëlqyera politike
mes Shqipërisë dhe Sllovenisë do të reflektohen së shpejti edhe në rritjen e
nivelit të bashkëpunimit ekonomik. Shqipëria ofron shanse të mëdha për
investitorët sllovenë, duke qenë se ajo i ka shpëtuar efekteve drastike të
krizës globale ekonomike, ka thënë Meta.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri ka
falënderuar Presidentin Turk për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë dhe i jep
Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e inkurajimit konkret të vendeve të
Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së, në rrugëtimin e tyre euro-atlantik.
Meta ka shprehur mirënjohjen e thellë për
ndihmën që Sllovenia vazhdon të ofrojë për Kosovën, duke veçuar këtu
kontributin e rëndësishëm të Presidencës sllovene të BE gjatë shpalljes së
pavarësisë dhe peshën që investitorët sllovenë kanë sot në ekonominë e Kosovës.
Nga ana e tij Presidenti Turk, u shpreh se
përkushtimi politik i Sllovenisë ndaj Shqipërisë do të mbetet i fortë dhe se ky
përkushtim duhet të konkretizohet tashmë edhe në terma ekonomikë. Në këtë
kuadër, Dr. Turk kujtoi se hapja e kompanisë Merkator në Shqipëri, pak kohë pas
vizitës së tij në Tiranë, i ka dhënë një sinjal të fuqishëm edhe investitorëve
të tjerë sllovenë për Shqipërinë.
Roli i dy vendeve në Ballkan ka qenë pjesë e
biesdës mes Metës dhe Presidentit Turk.
Presidenti Turk, në mbyllje të takimit,
shprehu vlerësimin e tij për rolin tepër konstruktiv që Shqipëria luan në
rajon, duke e vlerësuar atë si faktor stabiliteti dhe paqeje.
xh/NOA