“Turizmi pritet të shënojë kulmin këtë sezon, ekonomia vijon rritjen”
Mbledhja javore e Qeverisë, flet Kryeministri Sali Berisha
Sektori i ndërtimit ka shënuar një rritje prej 21 përqind dhe tani, mund të thuhet se ai e ka marrë veten plotësisht. Një fakt të tillë, kryeministri Berisha e deklaroi gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Duke shtuar se një rritje gjithashtu, ka shënuar edhe sektori i transportit, ai i industrisë etj. Këto sipas tij, përbëjnë tregues të rëndësishëm që flasin për rritjen ekonomike të vendit. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha u ndal tek rritja ekonomike e vendit e cila sipas tij, këtë tremujor ishte 3.4 % kundrejt një rritje prej 1.2 % që shënoi tremujorin e parë të vitit të kaluar. Sipas kryeministrit, “ekonomia shqiptare bazohet më shumë se çdo ekonomi tjetër, në sektorin privat dhe Shqipëria është vendi më privat i Evropës”.
Duke vënë në dukje se të dhënat në shumë sektorë janë të qarta për një dinamizëm dhe entuziazëm real të ekonomisë shqiptare, shefi i qeverisë u shpreh se pritet që ky tremujor të jetë kulmor duke pasur parasysh edhe stinën e verës, gjatë se cilës turizmi merr një rol shumë të rëndësishëm.
Sipas tij, ekonomia shqiptare i ka të gjitha kushtet për një rritje gjithnjë e më të madhe.
Duke iu referuar privatizimeve, Berisha theksoi se Shqipëria është vendi më privat në Evropë.
Sipas kreut të qeverisë, ata që brohorasin e bëjnë nacionalizma si ato të Hugo Chavesin. Ai garantoi se “ekonomia shqiptare po reziston si Davidi me krizën po reziston se është ekonomi private, nuk po reziston në sajë të ndërmarrjeve publike se ne kemi shumë pak ndërmarrje publike. Po reziston se qeveria ka vendosur në themel të kësaj ekonomie parimin që bën të mundur dhe këtë rritje ekonomike prej 3.4 % në tremujorin më të zymtë, normalisht tremujori i parë është tremujor plogështie, nuk është shumë entuziast. Ekonomia ka edhe ajo ndjeshmërinë e saj të zhvillimit dhe nuk ka si mos ndikohet, nuk ka se si të mos ndjejë stinën e verës ku shitjet kulmojnë”, tha më tej kryeministri Berisha.