E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Senatit çek flet shqip në Kuvend

Kryetari i senatit të Çekisë, ka folur para deputetëve shqiptarë në gjuhën shqipe, duke u premtuar mbështetje të vendit të Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë. Kreu i Senatit çek, Subotka, bëri thirrje për intensifikimin e reformave dhe të forcimit të shtetit ligjor. Ndërkaq në takimin që zhvilluan dje, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli me kryetarin e senatit çek Premysl Subotka, është folur për marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjatë këtij takimi, Kryetarja Topalli ka vlerësuar mbështetjen e Senatit të Çekisë për proceset integruese të vendit tonë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndihmën që Çekia ka dhënë për stabilitetin dhe zhvillimet në rajon. Gjatë një konference për shtyp, Topalli ka theksuar se "marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer, ndërsa ka pasur dhe shkëmbime të ngushta parlamentare, nëpërmjet vizitave të ndërsjella të komisioneve të dy parlamenteve". Kryeparlamentarja ka shprehur mirënjohjen për ratifikimin e MSA-së nga Senati çek më 5 qershor 2008, si dhe për mbështetjen që Çekia u ka dhënë Shqipërisë dhe Kroacisë në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Duke u ndalur te bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, Kryetarja e Kuvendit shprehu dëshirën "për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, në të njëjtin nivel siç janë edhe marrëdhëniet politike". Më tej, ajo ka theksuar se "sot kemi pasur lajme shumë të mira për procesin integrues të vendit tonë, i pari erdhi nga Parlamenti i Lituanisë, i cili sot paradite ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gjithashtu, Senati i Republikës Çeke do të ratifikojë brenda tetorit këtë protokoll, ndërkohë që një proces i tillë do të realizohet dhe nga Parlamenti i Bullgarisë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›