E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: 18 vjet burg për Emiljano Shullazin

Në përfundim të hetimit gjyqësor, prokuroria kërkoi dënimin e Shullazit me 18 vjet burg dhe të bashkëpunëtorit të tij, Ervin Ferhati, po me 18 vjet burg. I pari është një emër i njohur i botës së krimit dhe akuzohet për organizim, drejtim e financim të një organizate kriminale me qëllim trafikimi. Në bazë të akteve hetimore të dërguara nga Prokuroria e Milanos (Itali) është regjistruar procedimi penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Nga këto akte hetimore dhe sipas seancave gjyqësore, rezultonte se disa shtetas shqiptarë në bashkëpunim dhe me shtetas të huaj në vitin 2004 kanë eksportuar lëndë narkotike në Itali, të cilën e merrnin kryesisht nga një furnitor nga Turqia dhe në disa raste e kalonin transit në Shqipëri. Nga hetimet janë zbuluar gjithsej nëntë anëtarë. Sipas dosjes, janë gjithsej gjashtë episode, ku kryesisht prova më e fortë janë përgjimet. Episodi i parë ka ndodhur më datën 10 qershor 2004, kur i pandehuri L. Sh. në bashkëpunim me Shqiptar Gubetinin, kanë furnizuar me 100 kg substancë përzierës organizatën e drejtuar nga Erges Ymeraj dhe Landi Baçin. Episodi i dytë është regjistruar në periudhën kohore 16-18 gusht të vitit 2004, kur të pandehurit Erges Ymeraj, Landi Baçi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet, si dhe me korrierin Nevzdet Haziri, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar 10 kg heroinë. Droga është furnizuar nga Turqia dhe përmes Shqipërisë është eksportuar në Milano, Itali. Më datë 18 shtator 2004, gjatë kontrollit të ushtruar në autoveturën me targa kroate ZG2879 K, me të cilën ka qenë duke udhëtuar korrieri Nevzdet Haziri, janë gjetur dhe sekuestruar 20 pako me peshë totale 10 kg. Lënda narkotike ishte e destinuar për të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi. Sipas prokurorisë, episodi i tretë daton në periudhën 18-21 gusht 2004, kur të pandehurit Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Ervin Ferhati, Emiljano Shullazi në bashkëpunim me furnitorin turk Mehmet kanë trafikuar 11 kg heroinë. Episodi i katërt është në periudhën 22-25 gusht 2004, ku disa të pandehur kanë trafikuar në Milano, Itali, sasinë prej 5 kg heroinë. Episodi i pestë daton në periudhën 28-29 shtator 2004, kur Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Selfo Driza, Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet, kanë trafikuar në territorin e shtetit italian 15 kg heroinë. Episodi i fundit ka ndodhur në harkun kohor 25 tetor 2004 dhe 1 nëntor 2004, kur Emiljano Shullazi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me Ardit Beratin dhe furnitorin turk me emrin Mehmet, me anën e korrierit Branko Govedarovich, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar në Itali 11.2 kg heroinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›