KLD: Nenet që kontestojmë për ligjet e gjyqtarëve
"Gjykata ka të drejta të plota mbi administratën gjyqësore, ndërsa funksionimi i saj nuk i lihet në dorë ministrit të Drejtësisë", ky është thelbi i pretendimeve që ngre nëpërmjet KLD-së gjyqësori shqiptar ndaj tentativës së Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet në ligjin ekzistues për ta. Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar komisionit të ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë disa propozime për projektligjin për administratën gjyqësore. Në bazë të dy mbledhjeve me kryegjyqtarët dhe me misionet e huaja për asistencën e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, KLD-ja ka mbajtur "shënime" dhe propozimet përkatëse ia ka dërguar deputetëve. Burime nga Këshilli thanë dje se në përgatitjen e projektligjit për administratën gjyqësore duhet të merret mendimi edhe i ekspertëve të EURALIUS-it, por edhe ekspertëve të tjerë të huaj, të cilët kanë deklaruar se në vendet e Evropës, funksionimi i administratës gjyqësore nuk i lihet në dorë ministrit të Drejtësisë. Sipas tyre, ka dy modele: ose me ligj të posaçëm, sipas të cilit gjykata ka të drejta të plota mbi administratën, ose administrata gjyqësore është pjesë e shërbimit civil dhe zgjidhet nëpërmjet konkurrimit. Për administratën dhe për kancelarin në veçanti propozimet e KLD-së konsistojnë se: Kancelarit të gjykatës, në p/ligjin e ri i janë dhënë shumë kompetenca, kur në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor janë të përcaktuara se çfarë bën kancelari i gjykatës. "Detyrat" e ministrit të Drejtësisë për administratën, ku parashikohet se struktura e organika e administratës gjyqësore për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë dhe të Apelit, përcaktohen me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, KLD-ja thotë se ky paragraf është shumë i gjerë, ndoshta ligjvënësit duhet të përcaktojnë dhe nga se do të niset ministri i Drejtësisë për të përcaktuar strukturën dhe organikën. Më tej, duke u bazuar te propozimet e gjyqtarëve, KLD-ja thotë se "kushtet për pranimin në punë, procedurat, mënyra e fillimit e mbarimit nuk ekzistojnë. Po ta shikojmë ligjin nen për nen, vihet re se asgjëkund në këtë ligj nuk përcaktohet mënyra se si rekrutohen, mënyrat e karrierës e me radhë e me radhë, plot çështje të tjera për gjyqësorin". Të gjitha mendimet ndryshe nga p/ligji për administratën gjyqësore, do të merren për diskutim në komisionin e ligjeve.