E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, projekti i ri: Burg dhe zhdëmtim

Një draft i dërguar nga qeveria në Kuvend vendos që të gjithë zyrtarët që fajësohen për korrupsion do të duhet të paguajnë përveç burgut me lekë në dorë, dëmin që i kanë sjellë buxhetit të shtetit. Ky penalizim jepet në projektligjin për ndryshimin në Kodin Civil, i cili është dorëzuar në Kuvend. Në këtë kuadër, por duke plotësuar edhe një nga kërkesat e Bashkimit Evropian, në Kuvend dje është depozituar një tjetër projektligj, i cili kërkon të realizohen disa ndryshime në Kodin Civil dhe në Kodin Penal. Në Kodin Civil kërkohet të ndryshohen pesë nene. Thelbi i këtyre ndryshimeve ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Të gjithë ata që kryejnë veprime korruptive do të kompensojnë dëmin e shkaktuar. Në nenin e parë, i cili përcakton përgjegjësinë për veprimet korruptive, thuhet se personi që nëpërmjet kërkimit, ofrimit, dhënies a pranimit të drejtpërdrejtë, ose në mënyrë të tërthortë të një mitëmarrjeje, ose çdo lloji tjetër avantazhi a përfitimi që deformon kryerjen e çdo detyre, apo sjelljes së kërkuar nga pranuesi i mitëmarrjes, për pasojë edhe avantazhin e padrejtë, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Kompensimi i dëmit mund të mbulojë dëmtimin material, humbjen e përfitimeve dhe humbjen jomonetare. Në nenin dy kërkohet ky ndryshim: dëmi i shkaktuar nga veprime korruptive kompensohet kur i padituri ka kryer apo ka autorizuar aktin e korruptimit, ose ka dëmtuar në ndërmarrjen e hapave të duhur, për ta parandaluar aktin e korruptimit, kur paditësi ka pësuar dëmtimin dhe kur ka një lidhje shkakësore ndërmjet aktit të korruptimit dhe dëmit. Në nenin tre është kërkuar që kompensimi për shpërblimin e dëmit nga veprimet korruptive pakësohet ose hiqet në rrethana kur personi i dëmtuar me faj ka ndihmuar në shkarkimin e tij. Ndërsa në nenin katër përcaktohen afate, sipas qeverisë, për kërkimin e shpërblimit të dëmit në zbatim të nenit 639/1. Afati për parashikimin e padisë është tre vjet, duke filluar nga data që personi ka pësuar dëmtimin, ose bëhet i ndërgjegjshëm për dëmin e pësuar dhe për personin që e ka shkaktuar. Personi i dëmtuar nuk mund të ngrejë padi për shpërblimin e dëmit në zbatim të nenit 639/1, pas kalimit 10 vjet nga data e kryerjes së veprimit korruptiv. Çdo kontratë që ka për objekt veprime korruptive, ose kontrata që janë të lidhura me to çfarëdolloj titulli, janë të pavlefshme. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky projektligj ndryshohet, pasi kërkohet nga konventat ndërkombëtare. Kjo konventë është ratifikuar nga 14 shtete dhe ndahet në tri kapituj: masa për t‘u ndërmarrë në nivel kombëtar, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe zbatimi. Në konventë trajtohen këto aspekte, kompensimi i dëmeve, përgjegjësia, harresat kontribuuese, reduktimi, ose mosdhënia e dëmshpërblimit, vlefshmëria e kontratave, mbrojtja e të punësuarve që denoncojnë faktet e korrupsionit, marrja e provave, masat që kanë për qëllim të ruajnë aktet e nevojshme, deri në ekzekutimin e vendimit përfundimtar dhe mbajtja e status quo-së, duke pritur zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.

Ashpërsohet Kodin Penal. Ministria e Drejtësisë paraqet propozimet në Kuvend

Ndëshkimi për piratët informatikë. Hakersat dënohen me burg

Ndërhyrjet pirate apo hakersat nëpër faqet e internetit tashmë nuk do të kalojnë vetëm me lajme nëpër media, por do të përballen edhe me drejtësinë. Ministria e Drejtësisë i ka propozuar Kuvendit miratimin e disa ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat kanë të bëjnë me dënimin e veprave penale në fushën e teknologjisë së informacionit. Masat ndëshkimore ndaj këtyre personave do të jenë mjaft të rënda, duke filluar nga gjoba të larta deri në dënimin me burg. Në projektligj thuhet se ofrimi në publik, ose shpërndarja e qëllimshme publike, nëpërmjet sistemeve kompjuterike dhe materialeve që mohojnë e minimizojnë në mënyrë të ndjeshme, miratojnë ose justifikojnë akte që përbëjnë gjenocid, ose krim kundër njerëzimit dhe dënohen me burgim nga 3 deri në 6 vjet. Kanosja serioze për vrasje, ose plagosje të rëndë që i bëhet një personi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fisit, dënohet me gjobë, ose me burgim deri në 3 vjet. Fyerja e qëllimshme publike nëpërmjet sistemit kompjuterik që i bëhet një personi, për shkak të etnisë, kombësisë, racës, apo fesë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose me burg deri në 2 vjet. Futja, ndryshimi dhe fshirja e të dhënave kompjuterike, apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik me qëllim mashtrimi, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 6 vjet dhe me gjobë deri në gjashtëqind mijë lekë të reja. Fshirja apo futja e të dhënave në kompjuter, me qëllim krijimin e të dhënave të rreme dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 6 vjet. Hyrja në sistemet e kompjuterëve ushtarakë të sigurisë kombëtare të rendit publik të mbrojtjes civile, apo shëndetësisë dënohet me burgim nga 3 deri në 6 vjet. Kryerja e veprimeve për përcaktimin e rezultateve në garat sportive kombëtare, apo ndërkombëtare në kundërshtim me parimet e sportit dënohet me gjobë nga pesëqindmijë deri në tre milionë lekë të reja, ose me burgim nga 3 muaj deri në 2 vjet. Kur kjo vepër kryhet për qëllime pasurimi dënohet nga dy vjet deri në 7 vjet dhe me gjobë nga 2 milionë deri në 10 milionë lekë. Përgjimet e paligjshme me mjete teknike të transmetimeve jopublike i të dhënave kompjuterike dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›