E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS të distancohet nga 100-vjetori i Enver Hoxhës

Kryeministri Berisha i cilësoi dje gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si çnjerëzore dhe të turpshme përpjekjet që po bëhen për rehabilitimin e "Hitlerit" të pasluftës së Dytë Botërore, diktatorit më mizor të shqiptarëve, Enver Hoxhës. Kryeministri theksoi se po bëhen përpjekje monstruoze dhe të paimagjinueshme për të nxjerrë nga kalendat e turpit të historisë figurën më gjakësore, që shqiptarët kanë njohur në të gjithë historinë e tyre, në një kohë kur vendi po bëhet partner gjithnjë e më i besueshëm për aleatët perëndimorë dhe është në prag të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO. Të përligjësh sot këto veprime, u shpreh Kryeministri Berisha, është një krim i shëmtuar i ri ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Përpjekjet për të kremtuar 100-vjetorin e diktatorit janë përpjekje për të përligjur terrorin, barbaritë, skllavërinë dhe izolimin që ai vendosi mbi Shqipërinë dhe shqiptarët", theksoi ai. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi një distancim të prerë të drejtuesve të Partisë Socialiste nga procesi i rehabilitimit të figurave të diktaturës më të egër që kanë njohur shqiptarët në gjithë historinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›