E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, fundjavën "e mbysin" vjedhjet

Vjedhjet në Tiranë duket se nuk kanë të sosur. Fundjava e fundit është përfshirë nga vjedhjet, ku vetëm ditën e diel janë shënuar nëntë të tilla. Por, nuk kanë munguar edhe arrestimet dhe dokumentimet e këtyre ngjarjeve nga policia. Burimet policore bënë të ditur se vjedhjet mbeten ende problem shqetësues për detyrën e tyre, megjithëse është intensifikuar shumë puna për goditjen e këtij fenomeni. Sipas tyre, çdo ditë shënohen vjedhje në Tiranë, ashtu siç janë shënuar nëntë të tilla edhe gjatë fundjavës. Madje, nga të dhënat, tri nga rastet e shënuara janë denoncime për vjedhje automjetesh. Ndërkohë nuk mungojnë edhe vjedhjet e bizneseve të ndryshme apo ato të banesave. Duke u nisur nga kjo situatë, policia ka krijuar disa seksione që përqendrohen kryesisht te vjedhjet, siç është seksioni kundër vjedhjeve të mjeteve, seksioni kundër vjedhjeve të bizneseve, seksioni kundër vjedhjeve me dhunë ose armë, apo edhe seksioni kundër vjedhjeve të tjera.

Tri vjedhje mjetesh

Policia tha se denoncimi i fundit për vjedhje automjetesh është shënuar në orën 16:00 të së dielës, ku Shkëlqim M., 48 vjeç, ka bërë kallëzim se pranë zyrës ku punon, i kanë vjedhur mjetin tip "Benz 250", me targa TR8329F. Ai e kishte parkuar mjetin që të shtunën, në orën 20:30 dhe e konstatoi të vjedhur mëngjesin e së dielës. Po të dielën, në orën 15:30, ka bërë kallëzim Skënder H, se gjatë natës kanë tentuar t‘i vjedhin mjetin e tij "Mercedes Benz 300", ngjyrë rozë, me targa TR7746E, të cilin e kishte parkuar para pallatit ku banon dhe ka konstatuar se siguruesi i timonit ishte hequr dhe nuk punonte. Në këto kushte, hajdutët i kishin vjedhur sende të tjera në makinë. Gjithashtu, paraditen e së dielës, në orën 11:30, ka bërë kallëzim Gjergj Karaponxho, 30 vjeç, pasi gjatë natës i kanë vjedhur mjetin "Benz", ngjyrë lejla, me targa TR2251E. Policia tha se u kryen veprimet procedurale për të tria rastet dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Megjithatë, uniformat blu rrëfejnë se ka shumë vështirësi për gjetjen e këtyre mjeteve.

Pesë vjedhje biznesi

Policia tha se veç vjedhjeve të makinave, në fundjavë ka regjistruar edhe vjedhje biznesesh. Sipas të dhënave, dy ditë më parë është konstatuar vjedhja e lokalit bar-kafe, pronë e Kasem K., 55 vjeç. Nga hetimet rezultoi se autorët kanë shqyer derën e jashtme të lokalit duralumin me mjete të forta, ku kanë marrë një televizor, dy karta dixhital, disa paketa cigaresh dhe dymijë lekë. Gjithashtu, në fshatin Pezë Helmës, është vjedhur lokali "Hani i Babës", në pronësi Gjerasimos K., 33 vjeç. Policia tha se persona të paidentifikuar janë futur nga kati i dytë i lokalit dhe më pas kanë hyrë në ambientet e brendshme të tij, ku kanë marrë një televizor tip "Filips" dhe paketa cigaresh të ndryshme. Veç tyre, në rrugën "Ferit Xhajko", në kryqëzim me rrugën "Siri Kodra", është konstatuar vjedhja e dyqanit ushqimor, në pronësi të Ismet A., i 45 vjeç. Nga veprimet e kryera rezultoi se hajdutët kanë hapur me çelës derën kryesore të dyqanit dhe kanë vjedhur 20 steka me paketa të ndryshme cigaresh. Vjedhja e katërt e bizneseve është regjistruar në rrugën "Bajram Curri". Policia tha se është konstatuar vjedhja e lokalit "Liberty Games", në pronësi të Flamur T. Gjatë hetimeve rezultoi se hajdutët kanë shqyer zgarën e jashtme, kanë prerë zgarën e brendshme të dritares dhe kanë vjedhur 3 milionë lekë. Ndërsa vjedhja e pestë është shënuar në Bathore, ku kanë bastisur një euroloto. Policia tha se hajdutët kanë vjedhur në këtë pikë lotoje sportive 20 mijë lekë.

Vidhen dy motorë

Gjithashtu, policia ka regjistruar edhe vjedhje motorësh në një garazh në Tiranë. Dy motorë janë vjedhur gjatë një ndërhyrjeje, ndërkohë që policia ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjeve. Sipas të dhënave hetimore, në rrugën "5 Maji" është konstatuar se në një bodrum që përdoret si parking, në pronësi të Qerim S., janë vjedhur 2 motorë të tipit "Papaq". Me anë të një tubi uji, hajdutët kanë hapur derën e garazhit dhe më pas kanë vjedhur motorin, me targa TR581F dhe motorin me targa TR042G. Megjithatë, policia tha se për të gjitha vjedhjet ka nisur puna për zbulimin dhe dokumentimin e tyre. Madje, policia shtoi se çdo ditë dokumentohen vjedhje dhe arrestohen hajdutë të ndryshëm, të cilët kanë kryer më shumë se nga 2-3 vjedhje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›