"Shoqata Bregdeti" kërcënon me protesta
Dhjetëra pronarë tokash në bregdet kanë kërkuar nga qeveria heqjen e ligjit nr.7501. Sipas tyre, ky ligj që ka hyrë në fuqi që prej 17 vitesh, jo vetëm nuk po gjen zbatim, por po krijon situata konfliktesh mes pronarëve të ligjshëm dhe pretenduesve për të tillë. Rreth 60 përfaqësues të "Shoqatës së Bregdetit" kanë kërkuar dje kthimin e tokës pronarëve të ligjshëm, atyre që me ligj dhe dokumentacion u takon prona e trashëguar. Në rast të kundërt, ata kanë kërcënuar me bllokim të rrugës kryesore në fshatin Borsh, por edhe në zona të tjera përgjatë bregdetit, duke bërë protesta dhe duke i përshkallëzuar ato. "Në ndarjen e bërë të tokës në bazë të ligjit 7501, kanë përfituar persona dhe familje që nuk u takon toka në zonën e bregdetit. Ne jemi mbledhur këtu për të përcjellë zërin tonë në qeveri. Kjo nuk do të thotë që jemi kundër ligjeve të shtetit shqiptar, por natyrisht duhet që tashmë toka të kthehet tek ai që i takon, pra pronari i ligjshëm. Borshi, ashtu si zona nga Palasa në Nivicë, është një zonë turistike, dhe si e tillë shumë herë ka ngjallur interes, por tashmë, pas 17 apo 20 vitesh, duhet të zbatohet ligji i vërtetë, ai i kthimit të tokës te pronari", ka theksuar në emër të shoqatës, Neptun Bajko. Në takim është lexuar edhe një raport i BE-së për Shqipërinë, që prek edhe problemin e tokës, raport në të cilin sipas banorëve theksohet qartë se ka mjaft mangësi në zbatimin e ligjit për pronësinë, kryesisht në zonat turistike. Të pranishëm në takim kanë qenë edhe përfaqësues nga Bashkia e Himarës, të cilët janë ndalur në zbatimin e ligjit 7501, duke e quajtur të gabuar, ndërsa është theksuar jo pak herë kjo edhe pas ndërhyrjeve të kësaj bashkie, se ligji në fjalë duhet rishikuar. Në takim është diskutuar gjatë mbi problemin e pronësisë, ndërsa është theksuar se tashmë "Shoqata Bregdeti", në emër të pronarëve të zonave turistike, do t‘i drejtohet qeverisë shqiptare dhe më pas institucioneve ligjvënëse në vend, dhe nëse problemi dhe kërkesa e tyre nuk do të merren në konsideratë, protesta do të përshkallëzohet.
M.Marsi
M.Marsi