E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i bashkisë: Nuk kemi inventar për dëshmorët e humbur

Lushnjë

Bashkia e qytetit të Lushnjës pranon zyrtarisht se nuk ka një inventar të saktë të dëshmorëve të rrethit. Kreu i saj, Albert Sanxhaku, në një dalje publike pas skandalit të humbjes së eshtrave të dëshmorëve, ka mohuar faktin e ekzistencës së një liste të tyre në arkivat e bashkisë. Duke larguar përgjegjësinë nga institucioni që drejton, kryetari Albert Sanxhaku është shprehur publikisht: “Ne si bashki nuk kemi një evidencë të saktë të dëshmorëve që duheshin rivarrosur. Listën e dëshmorëve të varrosur apo dhe të pavarrosur, bashkia nuk e ka pasur dhe nuk e ka. Kështu nuk mund të jemi në dijeni të eshtrave. Nëse nuk kemi evidencë, nuk mund të themi që ka ndodhur apo jo vjedhje eshtrash”, ka thënë Sanxhaku. Më tej ai ka shtuar se prej dy vitesh, administrimi dhe mirëmbajtja e varreza të dëshmorëve bëhet nga një firmë private. Lidhur me cenimin, vjedhjen apo dëmtimin e mjediseve të dhomës muze, Sanxhaku ka thënë: “Jam vënë në dijeni të thyerjes së xhamit të një prej dritareve dhe të cenimit të mjediseve të brendshme të saj, por nuk mund të them se ka pasur vjedhje”. Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të LANç-it në Lushnjë, ndryshe nga tri ditë më parë që denoncoi skandalin, ka thënë: “Unë kam qenë prej dy muajsh në Greqi për arsye shëndetësore dhe kur kam ardhur prej andej, më kanë vënë në dijeni të vjedhjes së eshtrave. Më treguan dhe unë e denoncova publikisht”. Ndërsa kreu i Organizatës së Dëshmorëve, Vangjel Bello, i vendosur për të zbardhur skandalin që sipas tij ka autorësi papërgjegjshmërinë e pushtetit vendor, ka deklaruar: “Jam i gatshëm të përballem me çdo organ, me qëllim zbardhjen e së vërtetës”. Gjatë paradites së të premtes, disa familje dëshmorësh janë interesuar për të afërmit e tyre, por pa mundur të marrin një përgjigje pozitive.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›