Të pushohet procedimi ndaj Albin Kurtit
Protestë e rrjetit të organizatave shqiptare
Rrjeti i organizatave shqiptare u ka bërë thirrje krerëve të Kosovës që të pushojnë procedimin penal ndaj liderit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti. Në këtë deklaratë theksohet se “Tre vjet pas vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve në demonstratën e 10 shkurtit 2007 të lëvizjes ‘Vetëvendosje’, në bankën e të akuzuarve për këtë krim po vihet Albin Kurti, kryetari i kësaj organizate. Tashmë shumëkush e ka të qartë se përgjegjësia për këtë krim qëndron tjetërkund, te policia e UNMIK-ut, që në bashkëpunim me SHPK dhe qeverinë e Kosovës, kërkonin të ndalnin protestat popullore. Prandaj ne, si përfaqësues të organizatave shqiptare nga të gjitha trevat shqiptare, gjykojmë se vazhdimi i gjyqit kundër z. Kurti nga ana e EULEX-it është një përpjekje për të penguar vënien e drejtësisë për krimin, në mënyrë që shkaktarët e vërtetë të mos dënohen asnjëherë”. Në këtë deklaratë theksohet se “Burgosja dhe dënimi i mundshëm i z. Kurti nga gjykata e EULEX-it do të ishte një goditje e rëndë për sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe, kësisoj të ardhmen e Kosovës. Ne bëjmë thirrje që procesi ndaj z. Kurti të pushohet sa më parë dhe përgjegjësit e vërtetë të dalin para ligjit. U bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë shqiptarë dhe jo shqiptarë në shtetet tona që të bashkojnë zërat e tyre për të kundërshtuar pranë EULEX-it, qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Europian rinisjen e procesit ndaj z. Kurti. Gjithashtu kërkojmë që përgjegjësit e vërtetë për këtë krim, në radhë të parë policët rumunë dhe udhëheqësit politikë të UNMIK-ut, të merren si të pandehur”.
#