E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku flenë eshtrat e Shaban Ballës?

Mes territ të agimit, një grua e re nxitonte e fiksuar drejt periferisë, drejt Bregut të Lumit. I kishin thënë prej ditësh që vendimi ish-ekzekutuar, por ajo s’donte e s’mundte ta besonte. Të shoqin ia kishin vrarë, por ajo s’e kish parë, s’e kish qarë, s’e kish varrosur. Për të, ai ishte gjallë, ja, do hynte nga çasti në çast, do përqafonte atë dhe djalin e vogël që fshihej e qante prapa pusit.Për ta shpëtuar disi nga depresioni, të afërmit i gjetën një dëshmitar. Një fshatar i zonës, natën, fshehtas pranoi t’i ndihmonte. Ai i drejtoi drejt vendit dhe filloi të gërmojë... Pas pak filluan të shquhen trupa të pajetë. Sytë iu errën, por më në fund gjyshja ime, Fiqret, njohu... të rënë në brinjë... të shoqin, e njohu nga kostumi i tij ngjyrë kafe... Një copë stofi ngjyrë kafe dhe një tufë flokësh janë dy objekte mes qindra të tjerësh, dorëzuar në muze. Emri përbri: Shaban BALLA.
I arrestuar më 18 janar 1946 dhe i dënuar me vdekje me pushkatim në mesin e po atij viti, Shaban Balla, ish-nxënës i shkollës së “Fultz”-it, ishte pjesëtar i grupit “Bashkimi demokratik” (Grupi i Rezistencës) që në verën e vitit 1945. Familja e tij, si e shumë të tjerëve, u persekutua e u internua deri sa dhe djali i tij, Genc Balla, nga konsekuencat e kësaj jete, vdiq ende i ri më 1993, me pengun se nuk mundi t’i gjejë eshtrat e të atit, për t’i vënë një lule mbi varr.
Në arenën politike shqiptare ky ishte grupimi i parë opozitar, i organizuar nga bashkimi i tri partive: Partia Socialdemokrate që kryesohej nga Musine Kokalari, Partia e Legalitetit, që kryesohej nga avokat Qenan Dibra dhe Grupi i Rezistencës me në krye avokat Sami Qeribashin. Në librin “Si lindi Partia Socialdemokrate”, Musineja shkruan:
“Sonte jemi mbledhur këtu për një notë. Ne jemi një koalicion demokratik dhe duam që në zgjedhje (zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945), të marrin pjesë shumë parti. Pra, duhet të përpilojmë një notë dhe të kërkojmë nga aleatët që të ndërhyjnë pranë qeverisë që të shtyjmë votat, të marrim pjesë edhe ne. Fituam, humbëm, atë e di populli... Unë mora penën dhe përpilova notën.
Atë e firmosën katër zogistë, katër të rezistencës, unë… Një kopje të notës e shpuri Shaban Balla tek anglezët dhe një kopje tek amerikanët”.Siç dihet tashmë, zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 përfunduan me fitoren e plotë të Frontit, duke nisur serinë e farsave zgjedhore 45-vjeçare. Ditët e zgjedhjeve i mbaj mend mirë edhe unë, se shumë herët në mëngjes trokisnin nga Fronti dhe e merrnin babin për t’i rënë fizarmonikës në qendrën e votimit, për të treguar entuziazmin e popullit...
A thua në ato agime të ftohta i shkonte mendja ndonjëherë tek i ati, te zgjedhjet pluraliste që kish aspiruar ai, “mëkati” i vetëm fillestar për përndjekjen dhe vuajtjet e tri brezave? 37 pjesëtarë të grupit “Bashkimi Demokratik”, për të cilët, deri dhe një nga gardianët është shprehur me admirim “ata farë burrash”, u dënuan me pushkatim dhe burgime me akuzën “Bllok për të përmbysur pushtetin popullor”.
Bashkimi Demokratik është organizata e parë në vend e mbase në të gjitha vendet e Lindjes, me ide të qarta demokratike, ide, të cilat pjesëmarrësit e tij i kishin përvetësuar në shkollat perëndimore. Ata ndiqnin rrugën e drejtë, kur turma e çoroditur i thurte lavde së shtrembrës, së keqes, djallit, që shkatërroi “fe e atdhe”. Pikërisht për këtë, fotot e tyre, me diçiturat “Reaksionarë e armiq të pushtetit popullor”, dikur ishin ekspozuar në muzeun famëkeq të Ministrisë së Punëve Brendshme, të cilin bijtë e tyre detyroheshin ta vizitonin, për t’u diskredituar para gjithë shkollës!!!
Prandaj edhe tani, pikërisht për këtë, demokracia shqiptare iu ka borxh respektin dhe nderimin. Dhe nderimi fillon duke u vënë një lule. Por ku...?
Që pas ‘90-s, babai im, Genc Balla, së bashku me familjarë të të dënuarve të tjerë, në mënyrë të vazhdueshme u interesuan për të gjetur vendin ku ishin varrosur prindërit e tyre, por rezultatet ishin dëshpëruese. Shumë ndërtime, mes të cilave dhe ish-uzina “Dinamo” ishin bërë qëllimisht në zonën e ekzekutimit, që çdo gjurmë të zhdukej e të mohohej.
Megjithatë, nëse kërkimi do të bëhej në mënyrë të organizuar, sistematike e institucionale, shumë më tepër do të mund të arrihej. Ashtu si dëshmitarët e kanë detyrim ligjor të paraqiten në gjyq, ashtu dhe një komision shtetëror mund të thërresë personat që kanë dijeni për ngjarje të tilla, për t’u gjetur çka s’është rrëmbyer nga përrenjtë a mbuluar nga betoni.
Instituti i Kujtesës Kombëtare do të shërbente pikërisht për evidentimin dhe regjistrimin e sa më shumë dëshmive për të mos harruar këtë njollë të përgjakshme të historisë shqiptare.Falë ndihmës së një njeriu të mirë, familja jonë ka sot dy relike të dhimbshme e të shtrenjta. Falë historianëve e studiuesve, kemi libra e artikuj ku rizbulohet e dokumentohet kontributi demokratizues dhe patriotik i “fajtorëve” tanë pa faj.
Falë shoqërisë, nëse pretendon të quhet njerëzore, a s’duhet të kemi një pllakë për t’i qarë të vrarët tanë?

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›