E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vitin 92 u ngrit komision shtetëror për vendvarrimet

Flet zyrtari i Ministrisë së Brendshme: Shteti di varret e 1030 personave të pushkatuar me vendim gjykate

Vendvarrimet e të pushkatuarve gjatë regjimit komunist vazhdojnë ta trazojnë shtetin shqiptar. Një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme, i dalë në “pension” në vitin 2005, pas 32 viteve pune, ka pranuar të tregojë sekrete të vendvarrimeve, duke deklaruar me përgjegjësi se qeveritë e ngritura pas viteve ‘90 kanë pasur dijeni të plotë për vendet ku varroseshin kundërshtarët e regjimit. Ai pohon se në arkivat e Ministrisë së Brendshme, por edhe të Gjykatës së Lartë, janë 1030 skica me vendet ku janë varrosur të pushkatuarit me vendime gjyqësore, ndërsa personalisht ka shkuar në Linzë të Tiranës për të ndihmuar një familjar, të cilit i ishte pushkatuar babai. Ka gërmuar një gropë të thellë, por transformimi i vendit ka bërë që të mos mbante mend vendin e saktë. Megjithatë, deklaron se vendi i quajtur “varri masiv 313” ka ekzistuar edhe para gjetjes së 19 eshtrave. Memoria e tij është shumë e fortë dhe tregon me detaje të gjitha grupet armiqësore të regjimit të atëhershëm që mund të jenë varrosur në Linzë. “Shqipëria kishte disa vende ku varroseshin të pushkatuarit me vendime gjyqësore, por edhe kriminelët e tjerë. Autoritetet e Ministrisë së Brendshme kanë përcaktuar territorin pranë Repartit 313, pesë kilometra larg kryeqytetit, ku do të varroseshin trupat e personave që ekzekutoheshin në Tiranë. Territori i përcaktuar ishte 100 metra i gjatë dhe 20 metra i gjerë, në afërsi të një përroi. Aty hapeshin gropa dhe të dënuarit varroseshin nga dy ose tre vetë”, tregon ish-zyrtari i Ministrisë së Brendshme, i cili nuk pranon të identifikohet.
Skica për vendvarrimet
Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, Shqipëria ka 1030 të pushkatuar me vendim gjyqësor. Personat e tjerë, të cilëve nuk u janë gjetur eshtrat, mund të jenë persona të vrarë gjatë luftës, apo persona të cilësuar si kriminelë që dënoheshin nga regjimi për një vepër penale (jo me bazë politike).
Për çdo person që ekzekutohej mbahej një procesverbal, ku merrte pjesë prokurori i çështjes, mjekoligjori, personi përgjegjës i togës së pushkatimit dhe një zyrtar i hetuesisë. Vendimi për ekzekutimin mbahej në dy kopje, njëra kopje i dërgohej drejtorisë që zbatonte vendimet penale në Ministrinë e Brendshme dhe tjetra shkonte në Gjykatën e Lartë. Vendimi i ekzekutimit kishte të përcaktuar me një skicë të veçantë vendvarrimin. Personi i kontaktuar nga gazeta “Shqip” deklaron se shteti shqiptar ka dijeni të plotë për personat që janë ekzekutuar gjatë regjimit komunist, përfshirë edhe vendvarrimet dhe nëse nuk gjenden, faji mbetet i tyre. Ai pohon se krahas personave që ekzekutoheshin me një gjyq popullor, në vendvarrime mund të gjenden eshtra të personave të pushkatuar që kundërshtonin forcat e sigurisë së kohës, si dhe personave që dezertonin nga një kamp përqendrimi apo personave që tentonin të kalonin ilegalisht kufirin.
“Varri masiv 313”
çdo rreth ka pasur vende të caktuara ku kryheshin dënimet me vdekje, që përdorej më pas si varrezë. Drejtoria e Punëve të Brendshme në Tiranë kishte si vend ekzekutimi Repartin 313 afër Linzës, pesë kilometra larg Tiranës, një vend i braktisur dhe në atë kohë i shkretë e i papyllëzuar. Atje varroseshin personat që dënoheshin me vendime gjykate, por edhe personat që vdisnin në Burgun 313 dhe 325 në Tiranë. Meqë ishte në malin e Dajtit, më vonë u përhap legjenda e “Malit me Gropa”, i cili në fakt ishte pas malit të Dajtit.
Në vitet ‘70-‘90 janë varrosur të gjithë të dënuarit me vdekje dhe personat që vriteshin nën akuzën e kundërshtimit të forcave të sigurisë, siç ishte rasti i Xhevdet Mustafës dhe Selaudin Hasnedarit e ndonjë personi tjetër të vrarë.
Krahas këtyre personave janë varrosur në Linzë edhe shumë persona të quajtur kriminelë nga regjimi i kohës, të cilëve u është bërë gjyq publik dhe janë dënuar pa vendim gjyqësor. Zyrtari që ka pranuar të tregojë detaje për gazetën “Shqip”, deklaron se në Linzë mund të ketë eshtra edhe të personave të vrarë para viteve ‘70, si partizanë, zogistë, ballistë, gjermanë e të tjerë. Megjithatë, shtoi ai, për të gjitha vendvarrimet, shteti ka pasur dijeni. Ai tregon se në vitin ‘92 është ngritur një komision shtetëror, i cili ka gjetur disa eshtra. Ndërsa në vitin 2000 ka marrë pjesë personalisht në hapjen e një grope për të gjetur eshtrat e Fadil Kokomanit. Deklaron se tashmë vendi është i pyllëzuar, ndryshe nga vitet ‘70-‘90, kur vendi ishte i shkretë dhe i papyllëzuar. Ish-zyrtari tregon se u ka rekomanduar të afërmeve të Fadil Kokomanit që çështjen ta ndjekin në rrugë zyrtare, pasi është e pamundur që në atë vend të gjenden vendvarrimet e sakta. Në fund, por jo nga rëndësia, ka treguar edhe një detaj në lidhje me vendvarrimet masive gjatë diktaturës. Pohon se trupat e pajetë të të pushkatuarve nuk u jepeshin familjeve për të zbutur luftën e klasave. “Nëse trupat do t’u jepeshin familjarëve, atëherë do të kryhej një ceremoni mortore”, përfundon ish-zyrtari i Ministrisë së Brendshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›