E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neritan Ceka dhe Luan Rama kujtojnë arkivat e Ministrisë së Rendit

Ish-ministrat: Kishim informacion të plotë për të vrarët nga komunizmi
Ish-ministrat e Rendit, Neritan Ceka dhe Luan Rama, shprehen përse pushkatimet e bëra përgjatë sistemit të komunizmit janë të dokumentuara me saktësinë më të madhe. Në prononcime për gazetën “Shqip”, të dy ish-ministrat e kohës kur pushteti ishte në duart e Partisë Socialiste, theksojnë se informacioni për të vrarët nuk ka munguar, por shteti nuk ka qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për t’i gjetur këto eshtra. Kështu, këshilltari aktual i Kryeministrit Berisha, ish-ministri i Rendit, Neritan Ceka, thekson për gazetën se përgjatë sistemit komunist ka pasur të dhëna të sakta për sa u përket vrasjeve që janë bërë, dokumente të cilat ekzistojnë edhe sot. “Ministria e Brendshme ka në dispozicion një arkiv, që është në dispozicion të organeve kompetente që merren me këtë çështje dhe për këtë arsye dhe Këshilli i Ministrave ka vendosur të ngrejë një Task Forcë që do t’i shërbejë kësaj çështjeje”, theksoi Ceka. Sipas tij, gjatë kohës që ka qenë ish-ministër, ai nuk ka pasur dijeni personale për familjarë të cilët i kanë kërkuar kësaj ministrie informacion për gjetjen e trupave të të afërmve të tyre. “Ndoshta informacion wshtw kërkuar edhe nga zyra të veçanta të Ministrisë së Brendshme, të cilat ministri nuk i kontrollon përditë. Kjo është një çështje me të cilën nuk merret ministri, as nw ditët e sotme”, pohon ish-ministri Ceka. Por, sipas tij, duhet të jetë Ministria e Drejtësisë ajo që duhet të merret kryesisht me këtë çështje, duke qenë se krimet e komunizmit janë çështje drejtësie dhe nuk mund të klasifikohen si çështje policore. Po kështu, ish-ministri i Rendit, Luan Rama, pohon që në kohën kur ai ka drejtuar këtë ministri, ka pasur dokumentacion të plotë dhe të saktë për sa u përket të pushkatuarve, kohës dhe vendit kur këto akte janë ndërmarrë. “Gjatë periudhës së sistemit totalitar, ekzistonte një dokumentacion i plotë dhe i ruajtur me rigorozitet, përfshirë edhe dënimet me vdekje, pushkatimet dhe ata që vareshin me litar”, thekson Rama, i cili tregon dhe dokumente që përshkruajnë edhe detajet më vogla të këtyre veprimeve. Nisur nga këto të dhëna, Luan Rama thekson se duhet të jetë kryesisht shteti shqiptar ai i cili duhet t’i gjejë varret dhe të kujdeset për gjithçka tjetër që lidhet me ish të përndjekurit e sistemit.
“Shteti ka për detyrë që të kujdeset edhe për familjarët trashëgimtarë të viktimave të diktaturës së proletariatit dhe jo t’i lërë ata të enden rrëpirave e gërxheve në kërkim të eshtrave pa varr, si për fat të keq ka ndodhur rëndom në vite”, thekson Rama. Sipas tij, pavarësisht sistemit të asaj kohe, të pushkatuarit janë dënuar dhe ekzekutuar nga institucione shtetërore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›