E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Vendorët rrezikojnë të futin zgjedhjet në kolaps

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jep alarmin se e diela e 28 qershorit mund të shoqërohet me parregullsi dhe incidente për faj të drejtuesve vendorë. Këta të fundit, në mënyrë të parregullt dhe të pakonsultuar, kanë ndryshuar vendndodhjen e qendrave private të votave duke vënë para faktit të kryer KQZ-në. Janë 44 qendra të tilla të evidentuara si problematike dhe me dokumentacion të parregullt, por sipas KQZ-së, numri pritet të jetë dhe më i madh. “Drejtuesit vendorë rrezikojnë të çojnë në një kolaps të vërtetë të gjithë procesin. Kundër të gjitha detyrimeve, kundër të gjitha parashikimeve të Kodit Zgjedhor kanë ndërmarrë hapa për të ndryshuar vendndodhjet e qendrave të votimit dhe jo vetëm. Ajo çka përbën problemin më shqetësues dhe më serioz është bashkimi i disa qendrave apo ndarja e tyre, gjë që rrezikon që në ditën e zgjedhjeve, votues të ndryshëm të shkojnë të paraqiten në QV inekzistente ose që nuk e dinë se ekzistojnë”, - tha dje zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli. Ndërhyrja e vendorëve ka shkaktuar përplasje dhe vonesa brenda komisionit, i cili ka marrë në shqyrtim një nga një qendrat e votimit, por përfaqësuesit socialistë janë shprehur kundër qendrave të votimit në pronësi të militantëve partiakë. Vetëm në Tiranë, sipas tyre, ka mbi 20 të tilla. “Kjo do të gjejë kundërshtinë maksimale të PS-së, sepse nuk mund që në ditën e zgjedhjeve të orientosh votuesit të shkojnë në ambiente të tilla, të cilat prej më shumë se dy muajsh mbajnë të varur pankarta, flamuj të PD-së, mbajnë të varur postera elektoralë, zhvillojnë veprimtari intensive elektorale, nuk sigurojnë qetësinë dhe rregullin ditën e votimit”, - ka pohuar përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj. Parregullsitë e shkaktuara nga vendorët do të pasohen nga lëvizje të momentit të fundit si ç është ndryshimi i tërë bazës logjistike. Janë miratuar dhe 9 vëzhgues afatshkurtër të Delegacionit të Komisionit Evropian, 7 vëzhgues afatshkurtër të Organizatës për Nxitjen e Gruas në Integrim si dhe 43 të shoqatës “Në familje për familjen”.

Udhëzimi
Pjesëmarrja në votime, raportimi çdo tri orë

Sekretari i Komisioneve të Qendrave të Votimit, çdo tri orë, duhet të informojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për numrin e pjesëmarrësve në votime. Kështu parashikohet në udhëzimin e miratuar dje nga KQZ. Në këtë udhëzim parashikohet gjithashtu që procesi fillon në orën 7:30 minuta dhe mbaron në orën 19:00. Në të dyja këto orare sekretari informon me sms KQZ-në. Ndërsa njoftimi për pjesëmarrjen do të jetë në orën 10:30, 13:30 dhe 16:30. Ndërkohë që pas mbylljes së procesit do të ketë dhe një informacion të fundit për pjesëmarrjen në zgjedhje. Sekretari i KQV-së ka për detyrë të informojë dhe për çdo ndërprerje apo rifillim të procesit. Sot pritet të mbërrijnë nga Sllovenia dhe fletët e votimit. Ky konfirmim është dhënë nga drejtori i Departamentit të Personelit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Skënder Vrioni. “Pasdite do të nisen nga Sllovenia dhe nesër pritet të mbërrijnë në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Na duhet të lidhemi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave që të mos ketë pengesë deri sa të vijnë në Tiranë“, - sqaroi dje Vrioni. Në rang vendi numërohen gjithsej 4812 qendra votimi me gjithsej 3.084.067 zgjedhës. Sipas kalkulimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor sasia e fletëve të votimit të prodhuara është 2% mbi numrin e zgjedhësve, që në total përllogaritet me 3.145.748 fletë votimi.
Ky lajm është publikuar: 20/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›