E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi

“Portat e NATO-s u hapën, si rezultat i reformave të ndërmarra nga qeveria”

Reformat e thella të ndërmarra nga qeveria gjatë katër viteve të fundit mundësuan marrjen e ftesës për anëtarësim, përmes ratifikimit të shpejtë nga 26 vendet aleate të protokollit të NATO-s. Kështu ka deklaruar ditën e djeshme Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në Kuvend. 

Duke argumentuar rrugën e ndjekur nga mazhoranca, deri në anëtarësimin e plotë në NATO, Patozi tha se “Ne kemi mbërritur sot në portat e NATO-s sepse kjo mazhoranca dhe qeveria e  saj ia dolën që të bindin vendet më të fuqishme dhe më demokratike të globit se Shqipëria është në rrugë të pakthyeshme në përpjekjet e  saj për ndërtimin e një shoqërie të lirë, ekonomie tregu dhe shteti ligjor, se Shqipëria është një demokraci që funksion mirë”. 

Patozi u shpreh më tej se “suksesin tonë në këtë ndërmarrje fantastike e bëri të mundur lufta e vazhdueshme dhe pa kompromis ndaj korrupsionit, goditja pa mëshirë dhe shpartallimi i krimit të organizuar, kudo që ai kishte ngritur kështjellat e tij në Shqipëri, progresi në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, klima pozitive ndaj biznesit dhe investimeve të huaja dhe sigurisht edhe reforma e thellë e Forcave tona të Armatosura”. 

Kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi nuk la pa stigmatizuar dhe opozitën kur u shpreh se “Gjatë këtyre ditëve kam vërejtur me trishtim se ka pasur një tendencë për ta minimizuar dhe për ta zbehur vlerën e vërtetë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Duke heshtur, duke ndërruar temën si pa dashje, apo duke e konsideruar atë si një ngjarje të zakonshme, a  thua se Shqipëria po pranohet në Shoqatën Botërore të Gjuetarëve apo në Organizatën Ndërkombëtare të Natyralistëve të Rinj. Unë nuk dua të besoj se ka ende politikanë në Shqipëri që u ka mbetur ora në konsideratat apo klishetë e diktaturës për NATO-n, por kam përshtypjen se edhe ky qëndrim i ftohtë dhe gati injorues për arsye meskine xhelozie politike, bën të njëjtin efekt”. 

Ne emër të PD-së dhe mazhorancës, Patozi u shpreh se “ne ndjehemi dyfish të realizuar në këtë vigjilje feste, fishekë zjarret e së cilës pritet të lëshohen më 4 prill, sepse sot më tepër se kurrë ndonjëherë tjetër ne i përfaqësojmë më mirë dhe më shumë se kushdo tjetër shqiptarët”. Astrit Patozi u shpreh i sigurt se “shqiptarët që kanë zgjedhur në shumicë dërrmuese dhe pa mëdyshje NATO-n, do të votojnë sërish për ata që e afruan ditën e madhe të anëtarësimit. Era e NATO-s ka nisur”, u shpreh Kryetari i Grupit Kuvendor, të PD-së, Astrit Patozi. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›