E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha: Anëtarësimi në NATO, faktor përcaktues për rritjen e investimeve

Forumi Ekonomik i Crans Montanës ka vijuar dhe ditën e djeshme punimet, ku të pranishmit diskutuan mbi përfitimet që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në kuadër të rritjes së sigurisë për investimet e huaja në Shqipëri. Në kuadër të anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO, në datat 3 dhe 4 prill, në Strasburg-Kehl, në Samitin e 60-të, të Aleancës së Atlantikut të Veriut, përfaqësues nga institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, nga qeveri të vendeve anëtare të BE-së, e vlerësuan këtë ngjarje si vendimtare për krijimin e sigurisë ndaj klimës së biznesit në Shqipëri. 

Ministri i Punëve të Jashtme, i cili udhëheq dhe punimet e këtij forumi, vlerësoi se “ky sesion i shërben forcimit dhe rritjes së bashkëpunimit, sidomos për sa i përket klimës së biznesit në Shqipëri, pavarësisht situatës së krizës ekonomike botërore”.

Lidhur me krizën ekonomike që ka përfshirë disa prej vendeve më të zhvilluara të botës, ministri Basha u shpreh se “Shqipëria nuk e gjen veten mes kësaj krize, dhe kjo vjen si rezultat i politikave që ka ndjekur Qeveria shqiptare në 4 vitet e fundit, të cilat kanë bërë që ndikimi i efekteve të krizës financiare në Shqipëri të jetë i kufizuar”. 

Ministri Basha argumentoi se “Politikat e ndjekura nga qeveria kanë luajtur një rol të madh edhe në progresin që ka bërë vendi drejt integrimit në NATO dhe BE. Së shpejti ne do të marrim anëtarësimin e plotë në NATO dhe kjo patjetër që do të jetë fundi i një rruge të gjatë për Shqipërinë”, tha ministri Basha. 

Duke folur në një kuadër më të gjerë, për politikat qeverisëse, ministri Basha u shpreh se “Për më shumë se 10 vjet, Shqipëria ka bërë përpjekje të vazhdueshme jo vetëm për reformimin e Forcave të Armatosura, por edhe të gjithë shoqërisë shqiptare, strukturave shtetërore e institucionale”. 

Në vazhdën e procesit të reformave, ministri Basha theksoi se “Gjatë këtyre 10 viteve ne kemi parë një transformim gradual të sigurisë në vend, por edhe konsolidimin e plotë të demokracisë në Shqipëri. Gjithashtu, ne kemi dëshmuar një vullnet të hekurt për reforma dhe ky është një përfitim ekstra që sjell procesi i integrimit”, tha Ministri Basha. 

Ministri Basha u ndal edhe tek prioritetet që do të sjellë për vendin anëtarësimi me të drejta të Plota në NATO. 

Në këtë kontekst ministri Basha u shpreh se “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO pritet të jetë një faktor përcaktues për rritjen e investimeve në vend” duke sjellë ndërmend këtu shembuj të vendeve të tjera, të cilat një vit pas antarësimit në NATO, kanë pasur rritje të investimeve të drejtpërdrejta në vendet e tyre nga 14-18 për qind. 

Përpos krizës që ka përfshirë disa prej vendeve të industrializuara, ministri Basha garantoi se rritja e investimeve të huaja në Shqipëri ka pasur një përparim të dukshëm. 

“Ne kemi pasur investime të ndjeshme në fushën e energjisë, turizmit, mineraleve etj dhe kjo dëshmon se situata ekonomike në Shqipëri është e stabilizuar”, tha ministri Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›