Kreu i myslimanëve, Selim Muça pret delegacionin shqiptar nga SHBA
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça priti dje në selinë qendrore të Komunitetit Mysliman, një grup përfaqësie të Komunitetit Mysliman të Shqiptarëve të Amerikës, kryesuar nga kryetari i Albanian American Islamic Center nga Nju Xhersi dhe Nju Jorku H. Sami Merke, sekretari i përgjithshëm, Xheladin Leka dhe anëtarë të tjerë të kryesisë si, Selim Leka, Raif Xherraj, etj.
Delegacioni i ardhur nga SHBA është njohur me veprimtarinë e KMSH- së, me infrastrukturën e institucionit, si dhe me shkollat dhe medresetë e suksesshme që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë. Delegacioni i diasporës shqiptaro-amerikane ka vlerësuar shumë punën e institucionit drejtuar prej 5 vitesh nga H. Selim Muça, si dhe frymën e dialogut dhe bashkëpunimit midis komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, institucioneve më të larta zyrtare në vend, ringjalljen e besimit Islam pas viteve 90, si dhe përcjelljen e mesazheve Islame nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme ndërkombëtare, të cilat kanë pasur jehonë edhe në diasporën e SHBA-së. Delegacioni është prezantuar edhe me kryesinë, e cila përbëhet kryesisht nga të rinj të shkolluar jashtë vendi dhe të specializuar edhe me grada shkencore, si dhe kanë vizituar gjithashtu edhe ambientet e disa medreseve në vendin tonë.