KQZ, 7.3 miliardë lekë për infrastrukturën zgjedhore
7.3 miliardë lekë është kostoja e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Anëtarët e këtij institucioni miratuan dje unanimisht kërkesën për t’i kërkuar qeverisë shqiptare edhe 1.3 miliardë lekë, përveç 6 miliardëve që ishin akorduar qysh më parë nga ekzekutivi. Në këtë mënyrë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i kërkojë qeverisë edhe 1.3 miliardë lekë shtesë në buxhetin që do të akordohet për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ndërsa qeveria ka aprovuar prej kohësh një fond prej 600 milionë lekësh të reja për mbarëvajtjen teknike të procesit, miratimi në Kodin e ri Zgjedhor të përdorimit të kamerave gjatë procesit të numërimit kërkon edhe një buxhet shtesë, i cili nga përllogaritjet e bëra nga ekspertët e KQZ-së, rezulton të jetë pikërisht 130 milionë lekë të reja. Për herë të parë në Shqipëri grupet e numërimit të votave do të kenë pranë një monitor ku do të pasqyrojnë çdo fletë votimi në kohë reale. Ndërkohë që në mjediset e KQZ-së do të funksionojnë monitorët që pasqyrojnë aktivitetin nga 66 Komisionet Zonale Zgjedhore dhe procesi do të mund të ndiqet direkt me të gjitha problemet që mund të hasen. Ndërsa për sa i përket shumës 600 milionë lekë, ato do të përdoren për pagat e komisionerëve dhe përgatitjen e 3.195.913 copë fletë votimi, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë së numri në total i zgjedhësve pritet të jenë 3.133.248.
Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Brendshme numri në total i zgjedhësve pritet të jenë 3.133.248. Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ-ja duhet të kërkojë shtypjen e fletëve të votimit të barabartë me numrin e zgjedhësve plus 2% të kësaj shume. Një zë i konsiderueshëm financiar janë pagat e mbi 41 mijë komisionerëve të niveleve të ndryshme, si dhe pagat e punonjësve part-time që KQZ-ja ofron në prag të zgjedhjeve.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genc Gjonçaj, u kërkoi anëtarëve që KQZ-ja të ketë një fond rezervë gjatë zgjedhjeve, pasi ky proces është me rëndësi të madhe kombëtare dhe nuk duhet të mbesë peng i parave.