Milo: Procesi i legalizimit, jo me dy standarde
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka zhvilluar takime në rrethin e Sarandës në Konispol, Markat, Ksamil, Borsh dhe në Bajkaj të rrethit Delvinë. Në këto takime z. Milo ka biseduar me përfaqësues të strukturave të PDS-së, me simpatizantë e banorë të këtyre zonave. Ata i kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për vështirësitë ekonomike në rritje, për shtrenjtimin e punimit të tokave, të rritjes së çmimeve për plehrat kimike dhe për mungesën e mbështetjes nga ana e qeverisë për përballimin e përkeqësimit të gjendjes së tyre ekonomike. Në mënyrë të veçantë, kryetari i PDS-së u ndal e bisedoi gjatë me banorët e qytezës së Ksamilit, të cilët shprehën indinjatën e tyre për prishjen e ndërtesave.
Ndër të tjera zoti Milo u shpreh: “Me të drejtën legjitime të qytetarit të Ksamilit, ju keni të drejtë të ndërtoni jetën tuaj në këtë vend. Qëndroni se jeni në të drejtën tuaj. Në procesin e legalizimit nuk mund të ketë dy standarde, një standard për Bathoren dhe një standard tjetër për Ksamilin. Një standard që ndërtimet e Bathores i legalizon, i ligjëron dhe një standard të dytë që ndërtimet në Ksamil i quan të paligjshme, që u vë ruspën, i shkatërron”.
LSI-ja përshëndet pjesëmarrësit në protestë
Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndeti dje mbështetësit dhe qytetarët që morën pjesë në protestën e dy ditëve më parë me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit. Nënkryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi, theksoi se
manifestimet e djeshme i treguan qeverisë dhe Kryeministrit Berisha se krimi shtetëror i Gërdecit nuk është një aferë e mbyllur, por është mallkimi i përjetshëm dhe fundi i kësaj qeverie. I pyetur për protestën e organizuar nga selia rozë dhe aleatët e saj, Xhufi tha: “Ishte një mënyrë ndryshe për të kujtuar këtë ngjarje të dhimbshme, siç është vrasja politike, shtetërore e 26 qytetarëve dhe shkatërrimi i një peizazhi të tërë afër Tiranës. Ishte një mënyrë ndryshe, ne shprehëm një mënyrë ndryshe, të tjerët do gjykojnë se cila ishte mënyra më e drejtë”. “Unë e thashë që në fillim që dita e djeshme nuk meritonte të ishte një ditë e heshtur, nuk meritonte të ishte një ditë dashurie, por meritonte të ishte një ditë proteste e zhurmshme më zë të lartë, natyrisht një protestë qytetare si ajo që organizuam ne, kundër një qeverie e cila është e zhytur deri në fyt”, - tha ai.