Vargu: PS e konceptoi mitingun e saj si Nata e Bardhë
Anëtari i Komitetit Drejtues të LSI- së, Petrit Vargu i ftuar në në një media, duke iu referuar mitingut të djeshëm të LSI- së tha se mitingu ia arriti më së miri qëllimin e tij, pasi ky miting ishte vazhdim i një standardi që LSI ka pasur që nga 15 marsi i 2008- ës, pra "Berisha Ik". Ne patëm dallim mes mitingut me PS-në. "Për ne ishte largimi i Berishës si e keqja e këtij vendi, ndërsa PS- ja e kishte menduar mitingun si një përkujtim dhe kaq, e kishe konceptuar mitingun si një Natë të Bardhë", tha Vargu.
Largimet nga radhë e LSI- së, të anonçuara nga media, Vargu i cilësoi thjesht "një përdorim të këtyre mediave nga Rama. Ai deklaroi se në fakt anëtarësia e LSI- së në Tiranë është në nivelin e anëtarësisë më të madhe që PS- ja ka pasur së bashku me aleatët. Sa i përket fushatës së LSI- së, Vargu bëri me dije se kryetari Meta ka nisur të bëjë listat. "Për ne është një garë e hapur dhe secili nga ne e di ku do të kandidojë. Anëtarët që janë në fund të listave dhe që blihen nga Rama janë ata që janë larguar nga LSI- ja", nënvizoi Vargu. Sipas tij sondazhet e realizuara nga Zogbi nuk janë reale. "Janë truke të shëmtuara që nëpërmjet televizioneve të shëmtuara u serviren njerëzve", tha ai. po ashtu, sipas Vargut, partia G99, nuk ekziston ndaj nuk mund të mbahen raporte me kryetarin e saj. Sa i përket buxhetit të Tiranës, si anëtar i këshillit bashkiak,Vargu tha se faji i bllokimit të tij, është i kryebashkiakut Edi Rama. "Ne kemi kërkuar thjesht transparencën e investimeve, ndaj është e pakuptueshme mosbërja e buxhetit", tha ai. Petrit Vargu deklaroi se kryebashkiaku Rama duhet të bëjë edhe transparencën e buxhetit 2008. "Ne jemi gati për një mbledhje të radhës së këshillit bashkiak në momentin që ai bën transparent buxhetin", shtoi anëtari i këshillit bashkiak.