Rrugët e metropolit pa kosha mbeturinash, Rama krenohet me fasadat karikatura
Gati në të gjitha rrugët kryesore të kryeqytetet, vihet re mungesa e koshave të vegjël të mbeturinave, në të cilët kalimtarët duhet të hedhin mbeturinat. Kështu që qytetarët e Tiranës nuk kanë se si të bëhen të ndërgjegjshëm për të mbajtur qytetin pastër kur nuk u ofrohet mundësia më elementare për hedhjen e mbeturinave. Ruajtja e cilësisë së mjedisit dhe pastërtia e Tiranës nis nga koshat e vegjël të mbeturinave, të cilët në një qytet normal duhet të jenë të pranishëm në çdo kënd rruge.
Ndërkaq, në Rrugë e Durrësit, Rr. Dibrës, Bul.Zhan DArk, Bul.Bajram Curri, Rr. e Kavajës, në të dy anët e Lanës etj., pothuajse mungojnë plotësisht koshat e vegjël të mbeturinave, të cilët janë të domosdoshëm për të mbajtur një qytet pastër. Edhe në ato rrugë që janë të pranishëm, ato janë në distancë largësie shumë të madhe me njëri-tjetrin, jashtë çdo standardi dhe norme evropiane. Madje edhe në rrugët më të fundit, të cilat janë rikonstruktuar mungojnë koshat e vegjël të mbeturinave. Ndërkaq, duke u përballur me mungesën e koshave, qytetarët janë të detyruar ti hedhin mbeturin në rrugë, ose ti marrin mbeturinat me vete në shtëpi. Duhet të kërkoj disa minuta për të gjetur një kosh, ku mund të depozitoj mbeturinat. Edhe në ato rrugë që janë pajisur me koshat e vegjël të mbeturinave, ato janë shumë të rrallë, saqë e bëjnë të pamundur mbajtjen e mjedisit pastër, pohoj një qytetare e kryeqytetit. Nga ana tjetër, buxheti është miratuar, jo vetëm për pajisjen e rrugëve me këto kosha, por janë përcaktuar e llojet e ngjyrat e koshave sipas llojeve të mbeturinave. Madje, në koshat me ngjyre te verdhe, qytetarët këshillohen që të depozitohen mbeturinat plastike. Në koshat jeshile, duhen depozituar qelqet dhe aluminet; ndërsa te koshat e kuq, letrat dhe mbeturinat e tjera. Mungesa e kujdesit nga bashkia për vendosjen e koshave të mbeturinave në anë të rrugës, ndikon dukshëm në ndotjen e kryeqytetit dhe ndikon negativisht në shëndetin e qytetarëve.