E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: PS, koalicion përtej logove dhe flamujve të partive



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se partia që drejton, synon një koalicion qytetar përtej siglave dhe flamujve të partive politike. Gjatë një komunikimi të posaçëm me mediat, Rama falënderoi qytetarët që morën pjesë në tubimin e dy ditëve më parë në sheshin “Skënderbej”.

“Bashkimi ynë i ri synon pikërisht këtë që ju nënvizuat edhe nga manifestimi ynë i djeshëm: një koalicion të gjerë qytetar, një koalicion të gjerë njerëzish, që duan ndryshimin dhe që nuk mund dhe nuk duhet të jenë të përjashtuar nga përpjekja për ndryshim, për faktin se nuk janë të përfshirë dhe të rreshtuar në një parti apo në një parti tjetër”, - tha Rama. Njëkohësisht, Rama iu përgjigj pozitivisht mundësisë së një përballjeje mes tij dhe Kryeministrit Berisha në debat. “Kjo nuk ka përbërë dhe nuk përbën asnjë problem për mua”, - deklaroi kreu i PS-së. Ndërsa në lidhje me listat zgjedhore të kandidatëve, Rama i konsideroi se të flasësh për to është ende herët. “Tanimë duhet ta keni mësuar që jam në vazhdimësi i vendosur që të mos kontribuoj për telenovelat. Mjaftojnë telenovelat që televizionet e ndryshme shfaqin në orët e telenovelave, ndërkohë që politika duhet të jetë diçka tjetër dhe ata që merren me politikë, duhet të ofrojnë diçka krejt tjetër, në mënyrë që në atë hapësirë që i kushtohet politikës, njerëzit të mund të dëgjojnë se çfarë ka politika për të thënë”, - deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›