E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i opozitës, Rama udhëton drejt Britanisë

Në kuadër të mbrojtjes së kauzës për zgjedhje të lira dhe transparente, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është nisur drejt Anglisë ku pritet që të ketë takime me zyrtarë laburistë të nivelit të lartë. Burime nga selia rozë bënë të ditur se Rama do të shprehë në këto takime shqetësimet e opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit, arsyet e bojkotit, si dhe vijimin e rrugës së protestës. Vizita e Ramës në Britaninë e Madhe është në vazhdën e takimeve që ai ka zhvilluar me ambasadorë të vendeve të huaja në muajt e fundit. Një javë më parë ai pati një takim me përfaqësuesin e KE-së, Suedisë dhe Spanjës ku ka shprehur shqetësimet e kahershme të Partisë Socialiste. Çështja e kontakteve me ndërkombëtarët është prekur edhe në Kryesinë e PS e në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ku është rënë dakord që të vijojnë përpjekjet për të bindur ndërkombëtarët për rrezikun e mungesës së vendosjes së një standardi për zgjedhjet e lira. Sakaq, duket se ndërkombëtarët janë skeptikë deri edhe kundër qëndrimit të opozitës për bojkotin e Parlamentit, duke bërë thirrje të herëpashershme që grupi parlamentar i kësaj partie të bëhet pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, Rama është treguar i palëkundur në këtë qëndrim. Pak ditë më parë, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ai deklaroi mjaft i vendosur se pa u hapur kutitë e votimit PS-ja nuk futet në Parlament.

"Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament për t‘u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri dhe për mbylljen e rrugëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për kushedi sa vjet të tjerë. Sepse ne nuk kemi iluzionin që mund të ketë nesër zgjedhje të lira dhe të ndershme me Sali Berishën në pushtet, në qoftë se sot pushteti i Sali Berishës nuk i hap rrugë hetimit të të gjithë mekanizmit kriminal që goditi lirinë dhe cenoi ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve", tha ai. Brenda partisë ekziston edhe një grup që është kundër bojkotit si të Parlamentit ashtu edhe të zgjedhjeve të 15 nëntorit. Përfaqësues të "Lëvizjes për Mendimin Ndryshe" në parti janë shprehur se përmes bojkotit, PS po del jashtë sistemi çka është kundërshtuar nga figura të tjera të selisë rozë me idenë se pikërisht duke qenë këmbëngulëse po tenton të krijojë një sistem të ri. Për momentin, Partia Socialiste do të vijojë protestat dhe ajo e radhës do të zhvillohet në Shkodër.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›