E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ratifikimi i paktit me Greqinë u shty për transparencë

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se ratifikimi i marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë u shty për arsye transparence, aq më shumë kur vëmendja ndaj saj është rritur.

"Çështja ka qenë në rendin e ditës së Kuvendit. Shtyrja e ratifikimit është bërë për t‘u dhënë kohë të gjithëve që të jenë të bindur dhe të bërit sa më tepër transparent të procesit", theksoi Meta. Ai ftoi të gjitha palët të shkojnë në Ministrinë e Jashtme e të ballafaqojnë mendimet dhe matjet e tyre, duke garantuar edhe njëherë se marrëveshja e detit me Greqinë ka qenë e domosdoshme dhe nuk i ka falur Greqisë asnjë milimetër hapësirë detare. "Kjo është marrëveshje e domosdoshme, sepse vetëm përmirëson përcaktimin e këtij kufiri. Absolutisht që ndarja është bërë në interesin e Shqipërisë sikurse edhe të Greqisë në paritet të plotë", nënvizoi ministri i Jashtëm.
Marrëveshja është shtyrë nga ana e Kuvendit pa përcaktuar një tjetër afat se kur mund të përfshihet sërish në axhendë, ndërsa vijojnë zërat kundër saj. Sakaq, Meta komentoi vendimin e Asamblesë të PS-së për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit, duke e cilësuar atë një vendim absurd. "Është një vendim krejtësisht i gabuar dhe në dëm të vetë Partisë Socialiste. Lidershipi aktual, duke ndier që nuk ofron dot një alternativë shpresëdhënëse, synon që përmes këtij bojkoti të fshehë një humbje tjetër. Mendoj se nuk është kjo gjuha e duhur e një opozite, e cila pretendon se përfaqëson një alternativë për integrimin europian të vendit", theksoi Meta. Ditën e shtunë ai prezantoi kandidatin për minibashkinë numër 10, Gjergj Thomai, duke hapur kështu garën për zgjedhjet e 15 nëntorit. Kandidatët e kësaj partie do të jenë përballë atyre të së djathtës, ndërsa LSI-ja ka bërë të ditur se përderisa ka një bojkot të PS-së, kjo parti nuk mund të lërë zgjedhësit pa një alternativë të majtë. Ilir Meta është përballur edhe me akuzat e ish-kolegëve të tij brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët e kanë quajtur tradhtar të interesave të elektoratit të tij. Kreu i LSI-së deklaron se forca që ai drejton ka bërë zgjedhjen e duhur, duke qenë në koalicion me Berishën, një koalicion që, sipas tij, mund të zgjasë më shumë se sa një mandat 4-vjeçar. Sakaq, kundërshtarët e tij janë renditur krah ish-aleatit Edi Rama, duke mbështetur protestat dhe nismat ligjore të selisë rozë. Zyrtarisht, pesë "rebelët" e LSI-së nuk janë më pjesë e forumeve të saj, pasi një javë më parë u zëvendësuan me të tjerë emra në detyrat që ata kryenin brenda kësaj partie.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›