Kryesia e PD, përplasje për emrat
Kryesia e ngushtë e Partisë Demokratike nuk ka arritur të dalë në një qëndrim të qartë sa u takon kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Në mbledhjen e djeshme, e cila u zhvillua në orët e vona të mbrëmjes, PD-ja nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për të përcaktuar kandidaturën për në minibashkinë numër 10 në Tiranë. Kryesia ka miratuar vetëm katër kandidatura, ndërkohë që për Tiranën, emri i kandidatit që do të garojë për kryetarin e minibashkisë ka sjellë konfrontime dhe debate mes kryetarit të PD-së, dy nënkryetarëve, sekretarit të përgjithshëm dhe atij organizativ. Selia blu pritet të zyrtarizojë emrin e kandidatit sot në një konferencë për shtyp. Gjelosh Peplokaj do të garojë nën siglën e PD-së për Komunën Fierzë. Në Otallak do të jetë Muharrem Hoxha, në Klos është Ramazan Mjeshtri dhe në Fushë-Arës është Alfred Qasa. Për herë të parë, kryesia e vogël e Partisë Demokratike ka hasur vështirësi për të marrë vendime të tilla dhe ndoshta kjo mund të ketë ardhur si pasojë e pakënaqësive që e kanë zanafillën në ndërtimin e kabinetit qeveritar. Burimet pranë PD-së janë treguar shumë të rezervuar për atë çka ka ndodhur brenda mbledhjes së kryesisë, duke cituar vetëm se për minibashkinë e Tiranës, kandidatura zyrtare e PD-së do të bëhet me dije ditën e martë përpara se kandidaturat të dërgohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.