E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i opozitës fton shqiptarët në shesh më 30 prill

Rama: PS fitoi më 28 qershor, zgjedhjet u morën peng. Tani mbeten protestat

Protesta, si aksion politik i opozitës, është formalizuar dje edhe si një vendim i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Forumi i lartë i selisë rozë ka miratuar me konsensus nisjen e lëvizjes qytetare në mbarë Shqipërinë, e cila, sikurse është paralajmëruar, do të jetë prezente përditë deri në manifestimin e madh më 30 prill, që do të mbahet para selisë së Kryeministrisë. Me këtë qëndrim, forumi i lartë i PS ka legjitimuar të gjitha argumentet që ekipi drejtues ka hedhur në mbështetje të idesë së protestave, duke e bërë kauzën e zgjedhjeve një objektiv parësor të saj.

“Fituam zgjedhjet”

Protesta e opozitës në emër të transparencës së zgjedhjeve, në thelbin e vet i përgjigjet detyrimit për të bërë të njohur rezultatin e vërtetë të 28 qershorit. Një produkt i ndrydhur dhe i fshehur përmes teknikave manipuluese, të cilat i mbivendosen me një kosto edhe më të madhe precedentit të vitit 2005, i njohur ndryshe si “Megadushku”. Me këtë vetëdije, kreu i PS, Edi Rama, i është drejtuar dje anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, duke nënvizuar se jashtë paragjykimeve, përtej sulmeve dhe bllokimit që i kundërvihet arsyetimit politik të selisë rozë, e vërteta flet vetëm në favor të fitores së saj. “Sot e kanë marrë vesh të gjithë, se më 28 qershor, Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh dot vetëm se zgjedhjet u morën peng, duke mbushur kutitë si në Ruzhdie. Sot është bindje për të gjithë se Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjedhë...”, u shpreh ai. Ky qëndrim, që i referohet manovrave të shumicës për të mos hapur kutitë, i jep kauzës së protestave një premisë parimore. Zgjedhjet dhe administrimi i tyre mbeten për Sali Berishën fatura më e madhe e karrierës së tij politike, që me sa duket është hallka kryesore e tranzicionit të zgjatur shqiptar. Këtu është stacionuar kritika më e madhe opozitës, e cila ka bërë të ditur se nuk do të lëvizë për asnjë moment nga qëndrimi i saj për zbardhjen e 28 qershorit dhe dhënien fund të praktikave abuzive me proceset elektorale në Shqipëri. “Ata që tetë muaj më parë nuk e kuptuan, nuk e besuan, nuk e lanë dot pa shpotitur, por edhe tallur kauzën tonë, sot gjenden përballë faktit se kjo çështje as nuk mund të shuhet vetë, as nuk mund të mbyllet me pahir dhe assesi nuk mund të kalojë pa u kthyer në gur themeli për të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri”, vijoi kreu i PS. Transparenca është kthyer pra në një provë force për opozitën socialiste, por edhe një test të vështirë për drejtuesin e shumicës qeverisëse që, me gjithë listën e sukseseve politike lidhur me zgjedhjet, mban rekorde vetëm negative.

“Kriza ekonomike”

Nëse zgjedhjet janë një adresë thellësisht politike e angazhimit të një partie, kriza ekonomike është një shfaqje që medoemos e ripërkufizon axhendën e saj. Situata aktuale në Shqipëri, që i përgjigjet asaj të një krize që rëndohet përditë, po inkuadrohet në kalendarin politik, si një armë që ushqen gjithnjë e më shumë ballafaqimin mes dy palëve. Por analiza që kreu i PS i ka bërë krizës së tanishme, i prezanton opinionit jo vetëm situatën por edhe përgjegjësit e saj. “Familja” është riartikuluar si termi kritik pas të cilit rregullohet sot praktikisht e gjithë marrëdhënia e shtetasit shqiptar me pushtetin. “Një qeveri që populli nuk e ndal dot me votë, është një regjim që nuk ndalet dot përpara asgjëje...është një oborr familjarësh e klientësh që tjetërsojnë liri, të drejta, prona dhe pasuri, duke shkelur Kushtetutën, ligjin, lirinë dhe të drejtat e kujtdo që nuk është pjesë e këtij oborri. Cilido që jeton jashtë këtij oborri duhet ta kuptojë se s’ka asnjë rrugë tjetër, veç protestës për të marrë në dorë fatet e tij, prandaj Partia Socialiste është këtu për t’i bashkuar të gjithë...”, u shpreh kreu i PS-së. Përballë Sali Berishës si përfaqësues i një teknologjie manipuluese të pushtetit, opozita deklaron se nuk ka më asnjë mjet tjetër për të mundësuar rrëzimin e tij; protesta dhe lëvizja qytetare vijnë kështu në sytë e të gjithëve si mjeti legjitim, si rruga e vetme që përligj qëndrimin e këtyre tetë muajve dhe që dikton vetëm një objektiv: ndryshimin sa më të shpejtë të pushtetit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›