E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Biznesi të jetë i besueshëm për bankat

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka raportuar dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë aktivitetin bankar të vitit 2009. Sipas tij, situata u mbajt nën kontroll falë BSH-së dhe se politika monetare u ndoq me shumë kujdes, në përputhje me stabilitetin makroekonomik. Duke folur për kreditimin në tërësi, guvernatori preku edhe çështjen e bizneseve, të cilat ankohen për shtrëngimin e masave. Sipas tij, planet e biznesit për investime duhet të jenë të besueshme, pra të qarta dhe transparente, në mënyrë që të marrë aprovimin e bankave për kredi. Në vitin e një krize globale, ashtu si edhe ekonomia e vendit, edhe sistemi bankar ka përjetuar probleme në zhvillimin e aktivitetit të tij. "Në fund të muajit mars, depozitat ranë me 50% të Produktit të Brendshëm Bruto, krahasuar me 63% shënuar në shtatorin e 2008-s. Tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të parë të vitit solli ngadalësimin e zgjerimit të masës monetare në ekonomi. Aktiviteti bankar njohu një reduktim të ngadalshëm gjatë tremujorëve të ardhshëm. Oferta monetare u rrit mesatarisht me 6% gjatë këtij viti, ose rreth dy herë më pak se një vit më parë", tha Fullani. Si një problem i madh nga deputetët është evidentuar marrëdhënia jo transparente e bankave të nivelit të dytë me klientët. Ky fakt është pranuar edhe nga guvernatori, i cili tha se ky problem po përmirësohet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›