E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i policisë së Korçës padit Majkon

Drejtori i Policisë së Korçës Bernard çaushaj depozitoi sot padi penale ndaj deputetit të Partisë Socialiste Pandeli Majko me akuzën e "kundërshtimit me dhunë ndaj punonjësit të policisë".
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të cilat thanë se kreu i policisë së Korçës, ka bërë kallëzim penal ndaj deputetit të PS Pandeli Majko, pak orë pasi ky i fundit paditi në Prokurori drejtorin e policisë së Korçës dhe shefin e repartit të forcave speciale me akuzën e ushtrimit të dhunës ndaj protestuesve të Partisë Socialiste që u mblodhën sot në rrugën Korçë-Pogradec.
Sipas policisë së Korçës, në padinë e drejtorit të këtij institucioni Bernard çaushaj u përfshinë imazhet filmike të regjistruara nga policia në vendin e ngjarjes, në të cilat pretendohet se deputeti Pandeli Majko ka qëndruar në krye të turmës prej 50-100 personash që tentuan bllokimin e rrugës.
Në orët e mesditës së sotme deputeti Pandeli Majko deklaroi në mënyrë të hapur në media se mbështetësit e Partisë Socialiste në Korçë, ishin qëlluar me shkopinj gome gjatë një tubimi të nisur në ora 11:00 në rrugën Korçë-Pogradec.
Policia e shtetit i mohoi akuzat ndërsa të dy palët tashmë kanë bërë padi penale në Prokurori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›