E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha takon reporterët e KE

“Liberalizimi i vizave - Shqipëria po plotëson kushtin themelor, pajisjen e qytetarëve me pasaportat e reja”

Në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës David Vilshire dhe Jaako Laakso janë pritur dje në një takim zyrtar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Gjatë këtij takimi biseda është fokusuar në progresin e arritur nga qeveria në përmbushjen e kritereve, për përfitimin e liberalizimit të vizave.

Në këtë drejtim, ministri Basha informoi reporterët e KE-së se qytetarët shqiptarë janë pajisur me dokumentet më të sigurta dhe më modernët në Evropë, çka përbën një kusht themelor për lëvizjen e lirë në hapësirën “Shengen”.

“Sistemi i aplikimit dhe shpërndarjes së dokumentave të identitetit, letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, është i sigurt, nga më modernët në Evropë dhe njëkohësisht ofron shpejtësinë optimale të shërbimit ndaj qytetarëve. Megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike nisi më 1 Maj dhe pati një ndërprerje për shkak të angazhimit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet e qershorit, deri më tani numërohen 245 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 234 mijë prej të cilave janë prodhuar. Ky fakt dëshmon se Shqipëria ka ritmin më të lartë të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike në rajon”, u shpreh ministri Basha.

Për sa i takon një kushti tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e vizave, që është siguria e kufijve, ministri Basha informoi reporterët se është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, në këto pika është mundësuar lidhja e drejtpërdrejtë me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, e po kështu lidhja me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. Ndërkohë po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin “one stop shop” që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj. Në të njëjtën mënyrë në bazë të vendimit të qeverisë po punohet për funksionimin e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar.

Gjatë takimit me reporterët Wilshire dhe Laakso, Basha informoi edhe për luftën e vazhdueshme me tolerancë “zero” kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Në këtë aspekt Basha tha se mesatarja e kriminalitetit në Shqipëri është vlerësuar si më e ulët se në vendet e BE. Po kështu në raportin e fundit, Departamenti i Shtetit i SHBA e ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim përsa i takon trafikimit të qenieve njerëzore. Lufta ndaj trafikut të drogës po ashtu ka njohur rezultate të larta.

Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës David Wilshire dhe Jaako Laakso vlerësuan progresin e arritur në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE duke e cilësuar punën e kryer deri më tani si mjaft efektive dhe të suksesshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›