E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i ri i Magjistraturës, Llalla braktis mbledhjen për shkak të votimit të hapur

TIRANE - Kryeprokurori Adriatik Llalla braktis mbledhjen e bordit të shkollës së Magjistraturës, për shkak të parregullsive në votimin e zhvilluar për zgjedhjen e drejtorit të ri.

Bordi, në kundërshtim me ligjin ka votuar në mënyrë të hapur, si drejtues të shkollës, Neshat Fanën, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përkundrejt kandidatit tjetër, Enkelejd Alibeaj.

Burime brenda mbledhjes pohuan për “News24” se reagimi i kryeprokurorit, duke braktisur mbledhjen, erdhi pas vendimit për të votuar në mënyrë të hapur drejtuesin e shkollës. Por burime zyrtare të institucionit kryesor të akuzës thanë se Llalla iku më herët nga mbledhja për shkak të angazhimeve të tjera të tij.

Më herët në mbledhjen e datës 21 qershor Bordi i shkollës së Magjistraturës, votoi për të dytën herë Mariana Seminin, kandidaturë që u rrëzua më pas nga KLD-ja. Tashmë këshillit do ti duhet të konfirmojë emrin e Neshat Fanës për drejtues të Magjistraturës, edhe pse ka patur jo pak kontestime të forta lidhur me mënyrën e votimit të tij.

Edhe pse kanë qenë të pranishëm edhe vëzhgues të OSBE-së, ambasadës amerikane dhe asaj franceze, deklarohet se gjatë votimit ka patur shkelje, sikurse është e drejta e bordit për të votuar në mënyrë të fshehtë. Zgjedhja e zotit Fana do të bëhet zyrtare në mbledhjen e radhës të KLD-së, kur të merret në shqyrtim propozimi i bordit të shkollës së bashku me nëntë votat pro tij.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›