E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i senatit kanadez Kinsela: Opozita të hyjë në parlament

Opozita po ndeshet me një presion në rritje ndërkombëtar, që gjykon se debati zhvillohet në Kuvend dhe jo jashtë dyerve të tij. Për ta shprehur më mirë këtë qendrim Kryetari i Senatiti të Kanadasë Noel Kinsela është ndalur pikërisht tek kuptimi në frëngjisht i fjalës parlament.
Kinsela “Ne përdorim fjalën parlament, e cila vjen nga gjuha frënge që do të thotë “me fol”. Një nga kushtet për të folur është prania në Parlament. Si Kryetar parlamenti unë inkurajoj të gjithë anëtarët e tij të vinë dhe të flasin në Parlament”.
Mazhoranca nga ana tjetër duket e vendosur t’i mbahet qendrimit për të respektuar Kushtetutën në raport me kushtet e vëna nga opozita. Një qendrim që duket do të funksionojë dhe në rastin e projektiligjit që do të ofrojë Partia Socialiste për hapjen e kutive të votimit si një inisiativë e mbështetur nga 20 mijë firma qytetarësh.
“Pres që opozita në vijë në Parlament, pres deputetët e zgjedhur nga shqiptarët, që i kanë ngarkuar detyrën e rëndësishme, që të bëjnë misionin e opozitarit, që të jenë të pranishëm në Parlament. Ata do të kenë të gjitha hapësirat që lejon Kushtetuta, ligji dhe gjithë fleksibilitetin e Kryetares së Parlamentit për t'i respektuar në detyrën e tyre. Padyshim çdo iniciativë kushtetuese do të shyrtohet në parlament. Po unë mendoj që edhe atje kishte rrugë për këtë nisëm. Ju e dini që në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit nuk ka nevojë që t'i lodhin fare shqiptarët. Mjafton inisiativa e një deputetit për t’u shqyrtuar në Parlament. Rrugët kushtetuese, rrugët ligjore respektohen në Parlament.”
I ftuar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i Senatit kanadez u bë bashkëfirmëtar i Memorandumit të mirëkuptimit që synon të nxisë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve duke vënë në fuksion të saj portet respektive. Kryeparlamentarja Topalli e cilësoi me mjaft rëndësi, faktin që Kanadaja ka fokusuar Shqipërinë për investime në të gjithë sektorët. Një deklaratë që u konfirmua menjëherë më pas dhe Kryetari i Senatit kanadez kur tha se është gjithnjë në rritje interesi i biznesit kanadez për të investuar në vendin tonë.
Çështje të bashkëpunimit dy-palësh sidomos në fushën ekonomike u diskutuan edhe në takimet që Kryetari i Senatit kanadez Noel Kinsela zhvilloi me kryeministrin Berisha dhe Presidentin Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›