E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet e pallatit të shembur presin fondin nga qeveria

Dosja me dëmet e shkaktuara nga shembja e pallatit pesëkatësh në lagjen "11 janari" të Gjirokastrës është miratuar në bashki, në qark dhe prefekturë dhe pritet një vendim i Këshillit të Ministrave për dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara. Burime të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës kanë zytarizuar dje listën emërore të familjeve të dëmtuara nga shembja e pallatit në mesditën e 9 nëntorit, ku humbën jetën tre njerëz, si dhe ka përfunduar dosjen e vlerësimit të dëmit.

Jorgo Nikolla, specialist për emergjencat civile në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës, tha dje se vlera reale e dëmit shkon në shifrën 80.476.960 lekë, duke llogaritur këtu edhe orenditë shtëpiake. "Pesë specialistë, tre nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër dhe dy nga Agjencisë Rajonale të Legalizimeve, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), kanë dokumentuar 70 faqe raport për 18 familje të prekura nga tragjedia e Gjirokastrës dhe shumë shpejt ky dokument do të mbërrijë në Ministrinë e Brendshme", tha Nikolla. Sipas tij, llogaritja e dëmit të pallatit të shembur kap shifrën 59.276.960 lekë, ndërsa dëmi në orendi shtëpiake kap shifrën 21.200.000 lekë. Duke iu referuar specialistit të Emergjencave Civile në Këshillin e Qarkut Gjirokastrës, familjet Ibrahim Braho, Krenar Nikicaj, Thanas Zoko, Vasil Pulla dhe Shpëtim Llocko, Imzot Haska kanë pësuar një dëm material me vlerë 6.457.470 lekë për secilin. Ndërkohë, familjet e Vasil Vangjelidhi, Trashëgim Roshi, Axhem Mene dhe Vullnet Sinani kanë pësuar një dëm materiale me vlerë 4.938.400 lekë për secilin. Ndërsa familjet Hadër Haska, Jetnor Dalani, Bilbil Tena dhe Sokrat Papadhopulli kanë pësuar një dëm me vlerë 5.087.490 lekë për secilin. Gjithashtu, në tragjedinë e 9 nëntorit janë dëmtuar edhe katër qiramarrës të këtij pallatit. Këto familje parashikohen të dëmshpërblen me vlerën 500.000 lekë.

Shtabi i Emergjencës është ngritur në prefekturën e qytetit të Gjirokastrës me qëllim përballimin e fatkeqësisë që ndodhi në mesditën e 9 nëntor në këtë qytet pas shembjes së një pallati, si pasojë e të cilit, 3 veta kanë humbur jetën dhe 18 familje mbetën pa shtëpi. Familjarët e prekur nga tragjedia e 9 nëntorit në fillim të javës përfituan ndihma financiare nga Prefektura dhe nga Bashkia e Gjirokastrës. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë arrestuar tetë punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës dhe të firmës që po ndërtonte pallatin e ri.

Universiteti

Ndihma për tre

studentë që banonin

në pallatin e shembur

Rektorati i Universitetit "Eqrem Çabej" të Gjirokastrës ka vendosur dje të akordojnë një ndihmë financiare për tre studentët e tij, të cilët u prekën nga tragjedia e 9 nëntorit, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën disa të tjerë. Rektori i Universitetit të Gjirokastrës, prof. as. Gëzim Sala, tha se, studentët Dorina Sinani, Luriana Haska dhe Erald Bundo do të përfitojnë secili nga 70 mijë lekë. "Kjo ndihmë vlen për kompensimin e humbjeve që ata kanë pësuar nga ky aksident tragjik, si dhe për të shprehur solidaritetin e stafit akademik dhe studentëve për t‘u qëndruar pranë në këto ditë të vështira për ta", tha Sala. Sipas tij, ky fond është simbolik dhe synon më së shumti pajisjen e këtyre studentëve me libra dhe mjete shkollore, që i humbën bashkë me shtëpitë ku banonin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›