Kreu i ushtrisë padit aktivisten që denoncoi krimet në Kosovë
Kreu i shtatmadhorisë së ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviç, ka paditur aktivisten e njohur të të drejtave të njeriut, Natasha Kandiç, e cila ka denoncuar krimet e luftës të bëra në Kosovë nga ushtria serbe gjatë vitit 1999. Kandiç, e cila drejton Fondin për të Drejtat Humanitare me seli në Beograd, vlerësoi se padia e Dikoviç është e motivuar politikisht. Në vitin 1999, kreu i ushtrisë serbe ishte komandant brigade në pjesën qendrore të Kosovës, ku janë kryer shumë ekzekutime, vjedhje dhe dhunime të civilëve. Aktivistja është shprehur se gjenerali Dikoviç duhet ti parandalonte këto krime. Nga ana e tij, shefi i ushtrisë serbe dhe prokurorët e Zyrës për Krime Lufte në Beograd i kanë hedhur poshtë akuzat e saj.