E Diel, 1 Nëntor 2026

Lunaçek, pro zgjedhjeve të përgjithshme serbe në Kosovë

Ulrike Lunaçek

Shqetësimi për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë është rritur me deklaratën e fundit të eurodeputetes Ulrike Lunaçek, e cila u shpreh në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme serbe në territorin e Kosovës, por në kompromis me autoritetet në Prishtinë. Sipas RTK, Lunaçek është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Mbajtja e tyre në një mënyrë do të legjitimonte ekzistencën e strukturave paralele, tha ajo. Ndërkohë, kryenegociatorja kosovare, e cila është vënë në qendër të polemikave në Kosovë për marrëveshjet e fundit që ka nënshkruar me Beogradin, të cilat vlerësohet se favorizojnë Serbinë, ka kërkuar që BE-ja të ndalë mbajtjen e zgjedhjeve serbe. Edita Tahiri tha se BE është garant i marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, prandaj po BE-ja duhet të ndikojë te Beogradi zyrtar që të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka kritikuar rezultatin e bisedimeve me Serbinë. Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka dalë me qëndrimin se delegacioni kosovar në këto bisedime nuk ka poseduar njohuritë e mjaftueshme për të dialoguar me Serbinë dhe duhet ndërruar.
Ndërsa ministri serb për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve, Administratës Shtetërore dhe Qeverisjes Lokale, Milan Markoviç, nuk ka marrë pjesë në konferencën Bashkë kundër diskriminimit, e cila u mbajt në Budva, nën patronazhin e Kryeministrit të Malit të Zi, Igor Lukshiç. Shkak i bojkotit të kësaj konference, sipas mediave serbe, është se Kosova këtu nuk u përfaqësua në pajtim me vendimet e Brukselit. Sipas agjencisë FoNet, Markoviç duhej të mbante fjalën hyrëse në këtë konferencë. Duke komentuar mbi bojkotimet e takimeve rajonale,  të palës kosovare në Beograd për shkak të fusnotës dhe po ashtu edhe të Serbisë në Slloveni për shkak të fusnotës, krynegociatorja Tahiri tha se për zbatimin e marrëveshjeve përgjegjëse është BE-ja, dhe i mbetet BE-së të përdorë të gjithë mekanizmat për zbatimin e tyre.

Bie mocioni i VV
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje mbi paligjshmërinë e vendimit të Kuvendit të Kosovës, që rrëzoi mocionin e saj për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Gjykata Kushtetuese e ka argumentuar vendimin e saj duke e cilësuar si të papranueshme kërkesën e Vetëvendosjes. Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë kufijve të juridiksionit të gjykatës, sipas nenit 113.5 të Kushtetutës, thuhet në vendimin e organit të lartë gjyqësor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›