E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE kritikon Hungarinë

Pas Bashkimit Europian edhe organizata 47 anëtarëshe e Këshillit të Europës, ka dalë në përfundimin se reformat e ndërmarra nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban në Hungari, kërcënojnë pavarësinë e gjyqësorit, liritë fetare dhe medien.

Qëndrimi i KE-së është bazuar në dy qëndrime të hartuara dhe të publikuara nga Komisioni i Venecias, i cili përbëhet nga një grup i pavarur ekspertësh për çështjet ligjore dhe ato kushtetuese.

“Është e vërtetë që ka pasur nevojë për përmirësimin e efikasitetit të sistemit të mëparshëm gjyqësor, por elementë të shumtë të paketës së reformave janë problematikë; reforma në tërësi kërcënon pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtën për gjykim të ndershëm siç garantohet nga Konventa Europiane mbi të Drejtat e Njeriut”, deklarohet ndër të tjera në vlerësimin për fushën e drejtësisë.

Sekretari i Përgjithshëm, Thorbjorn Jagland, pritet të vizitojë Budapestin, për të diskutuar mbi këto dy vlerësime, por edhe mbi situatën për ligjet e reja për medien me kryeministrin Viktor Orban dhe me ministrin e Jashtëm hungarez.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›