Kreu s’ndryshon,titulli vendoset vetëm në finale
Java e 31-të, me fitoren 3-1 të Tiranës me Shkumbinin e 1-0 të Vllazninë me Dinamon, ripërcaktoi edhe njëherë faktin se finalja e madhe, Tirana-Vllaznia - java e 33-të - do të jetë shumë herë më e nxehtë se gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë midis tyre. Kërkoi 120 minuta lojë, pasi ose Vllaznia do të fitojë titullin e 10-të historik ose Tirana do të mbetet për të dytin vit rresht pa asnjë trofe. Në zonën e ftohtë të Kategorisë Superiore, situata është edhe më e komplikuar, pasi jo pak, por pesë skuadra që renditen nga vendet 8-12, pra nga Partizani e deri të Bylisi i vendit të fundit ndahen midis tyre me vetëm 2 pikë, kur duhen edhe dy ndeshje e 6 pikë në lojë nga përfundimi i Kampionatit të 70-të Kombëtar, e gjithçka mund të ndodhë.
TIRANA-SHKUMBINI 3-1
Në një “Qemal Stafa” krejtësisht të boshatisur (rreth 300 shikues në impiantin prej 16 mijë vendesh) dhe ndaj një Shkumbini pa asnjë objektiv në kampionat (pas fitimit të Kupës nga ana e Flamurtarit), Tirana nuk e pati aspak të vështirë të dominonte takimin nga minuta e parë e deri te minuta e 32-të, kur arriti të shënonte edhe tre golat që i dhanë ndoshta fitoren më të lehtë në 31 javët e zhvilluara. Në minutën e 18-të mbrojtësi Lila dërgoi një top drejt portës peqinase, të devijuar më pas nga Mujdragiç i Shkumbinit në rrjetën e mbrojtur nga Llani. Dhjetë minuta më pas, Muzaka (28’) realizoi një gol të bukur me kokë, për t’ia lënë radhën golashënuesit më të mirë të kampionatit Memellit në të 32’, kur ky i fundit shënoi golin e tretë të bardhebluve pas asistim të Agollit. Për Memellin ky ishte goli i 21-të sezonal, 3 më shumë se ndjekësi i tij më i afërt Plaku i Dinamos (18 gola). Fraksioni i dytë pati shumë goditje të pasakta drejt portave, por dhe një gol të realizuar nga Shkumbini, pikërisht nga Mujdragiç, i cili në minutën e 50-të shleu gabimin për autogolin e tij.
BYLIS-BESA 2-0
Emri i Besës u përmend mijëra herë nga tifozët vendas në “Adush Muça” në shenjë falënderimi pas fitores së çmuar 2-0 të Bylisit ndaj Besës, madje shumë herë më tepër se emrat e Dalipit e Bakiut, autorët e dy golave me rëndësi jetike për klubin ballshiot, në premierën e Gert Haxhiut, trajnerit të katërt sezonal. Bylisi e kërkoi me forcë fitoren ndaj Besës (pa asnjë pretendim) dhe ia arriti ta sigurojë atë brenda fraksionit të parë të lojës. Dalipi shënoi në minutën e 17-të (goli i tij i pestë sezonal), ndërsa Bakiu dyfishoi shifrat në minutën e 43-të (goli i tij i dhjetë sezonal). Gjithsesi, Bylis mbeti sërish i fundit, por tashmë me 31 pikë, një më pak se Apolonia, Lushnja e Elbasani (të tre me nga 32 pikë). Në javën pasardhëse, Bylis do të luajë kundër Shkumbinit në Peqin, ndërsa Besa pret Apoloninë.
FLAMURTARI-PARTIZANI 2-1
Fituesit e Kupës së Shqipërisë me trepikëshin e marrë kundër Partizanit (2-1) siguruan përfundimisht qëndrimin në Kategorinë Superiore, ndërkohë që të “kuqtë” ndodhen sërish në një situatë të vështirë menaxhimi në dy javët e fundit. Strati shënoi një eurogol në minutën e 25-të. Golashënuesi më i mirë i Partizanit, Ngjela barazoi shifrat në minutën e 49-të, goli i tetë sezonal i korçaret. Kapiteni i Flamurtarit, Paniç në 65’ vulosi shifrat 2-1, edhe pse zëvendësuesi Capa i Partizanit i kishte në fund të takimit të gjitha mundësitë për ta mbyllur në barazim sfidën. Në javën e 32-të, Partizani pret Elbasanin në “Qemal Stafa” në një luftë për “jetë a vdekje”. Flamurtari luan në Durrës me Teutën.
LUSHNJA-ELBASANI 0-0
Dy skuadrat ndanë nga një pikë në barazimin e tyre pa gola në “Roza Haxhiu”. Nga tifozët lushnjarë pati kore të vazhdueshme me fyerje ndaj gjyqtarit Sokol Çekaj, për dy penallti të pa dhëna sipas stafit të Lushnjës. Dy ekipet sërish ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, nga 32, po aq sa edhe Apolonia, por tashmë Elbasani ndodhet tërësisht i rrezikuar për të rënë nga Kategoria Superiore.
APOLONIA-TEUTA 2-0
Apolonia mori maksimumin ndaj një Teutë tërësisht të qetë në “Loni Papuçiu”, duke fituar me durrsakët 2-0, me nga një gol në çdo pjesë loje: Sead Haxhibuliç shënoi në minutën e 32-të, ndërsa Arbër Dhrami realizoi 20 minuta më pas, në të 52’.