Zbardhet dëshmia e Delijorgjit para prokurorëve: Pakti me ministrinë për Gërdecin
“Ministria e Mbrojtjes dhe kompania SAC nuk më kanë dhënë ndonjë rregullore për kushtet e sigurisë që duhej të zbatoja në Gërdec”. Kështu është shprehur biznesmeni Mihal Delijorgji në dëshminë e tij dhënë grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme. Biznesmeni i arrestuar, i cili është pyetur në prani të avokatit të tij, ia hedh fajin shtetasit amerikan Patrick Henry, me të cilin Delijorgji në fakt krijoi kompaninë SAC-Albademil, me qëllim fillimin e punës në Gërdec. Prokuroria ka prova se Delijorgji me dashje ka lejuar vazhdimin e punës në shkelje të rregullave të sigurisë teknike në fabrikën që ai vetë ndërtoi në Gërdec, me qëllim demontimin e municioneve. Gazeta “Panorama” boton sot dëshminë e plotë të dhënë para prokurorëve nga Mihal Delijorgji, i arrestuar me akuzat për “vrasje masive” dhe “shkatërrim prone” në ngjarjen e Gërdecit. Botimi i dëshmisë së tij bëhet në një kohë kur procesi gjyqësor për tragjedinë ka filluar në Gjykatën e Lartë që më 4 maj 2009. Dokumentet që publikohen janë dërguar në gjykim nga Prokuroria e Përgjithshme që më 13 mars 2009 dhe që nga ky moment, sipas ligjeve në fuqi, publikimi i tyre nuk është i ndaluar nga sekreti hetimor. Po kështu, publikimi i dëshmisë në fjalë, në kohën kur 28 të pandehurit janë njohur me një material të tillë prej disa muajsh, nuk përbën rrezik për dëmtimin e hetimeve të çështjes, të cilat janë deklaruar të mbyllura dy muaj më parë. Dëshmia është zbardhur nga dokumentet autentike të mbajtura nga Prokuroria e Përgjithshme në procesverbalin e thënieve të Mihal Delijorgjit para Algred Progonatit, njërit prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin e dosjes “Gërdeci”.
Procesverbal i mbajtur në datë 21 qershor 2008
Bazuar në shpjegimet e para po rijap edhe këto shpjegime lidhur me njohjen e Patrik Henry, kohën e njohjes, kush na njohu, çfarë ramë dakord dhe përse ramë dakord. Me shtetasin amerikan Patrik Henry jam njohur rreth muajve nëntor–dhjetor të vitit 2006. Duke qenë se shtetasi amerikan Patrik Henry kishte rreth dy vjet që aplikonte në Ministrinë e Mbrojtjes nëpërmjet MEICO-s, për të hyrë në marrëdhënie lidhur me procesin e demontimit të municioneve dhe duke qenë se nga ky proces dilnin materiale të tilla si baruti, predhat, gëzhojat etj., i lindi nevoja për të gjetur një subjekt shqiptar të specializuar në fushën e metaleve për të bashkëpunuar. Pasi kishte marrë informacione për ekzistencën e kompanisë së specializuar në fushën e metaleve nëpërmjet MEICO-s, institucion me të cilin kisha bashkëpunuar në këtë fushë nëpërmjet kontratave të veçanta, ku kontraktuesi kryesor ishte shteti grek (Ministria e Financave), ku shteti grek sillte fuoristrada “Mercedes” për ushtrinë e standardeve të NATO-s, dhe tërhiqte nga Ministria e Mbrojtjes mbeturina jashtë funksioni automjetesh ushtarake. Pozicioni im në këtë marrëveshje midis shtetit grek dhe MEICO-s (shteti shqiptar) ishte që unë magazinoja në kompaninë time mbeturina metalike të armatimit dhe automjeteve ushtarake, të cilat paraprakisht priteshin për t’u nxjerrë jashtë kontureve funksionale në prani të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas dërgoheshin për shkrirje në subjekte të specializuara të kontraktuar nga shteti grek, nga kompania “Helbo”, në bazë të kontratave të veçanta. Pikërisht bazuar në këtë pozicion të këtij procesi kontaktoj dhe më kërkoi bashkëpunim Patrick Henry.
Biseda e parë me Patrick Henry, e cila ishte një bisedë njohjeje dhe në parim, u bë në ambientet e MEICO-s. Më pas jemi takuar, natyrisht jashtë ambienteve të MEICO-s dhe kemi biseduar për modalitetet e bashkëpunimit. Kështu ramë dakord që në fillim të mos krijonim shoqëri, por të bashkëpunonim për çdo operacion rast pas rasti. Por duke qenë se bashkëpunimi do të zgjaste për shkak të vazhdimësisë së procesit të demontimit, i cili do të realizohej nga Patrick Henry nëpërmjet shoqërisë së tij SAC, e specializuar dhe e licencuar me procese të tilla demontimi, ku ai kishte kontraktuar me Ministrinë e Mbrojtjes për këto procese, vendosur nga detyrimet ligjore që do të dilnin në realizimin e këtij bashkëpunimi siç ishin taksat, tatimet, plus ngritjen e strukturave për realizimin e këtij procesi, si punësimi, investimet, elementë këto të cilat duheshin pasqyruar nga pikëpamja financiare për të bërë të mundur jo vetëm pasqyrimin financiar të këtij aktiviteti, por edhe për të krijuar raportet ligjore me organet tatimore, ato të doganës etj. Por edhe për të përcaktuar detyrimet dhe të drejtat reciproke të palëve në këtë marrëveshje. Kështu ne krijuam shoqërinë “Alba-Demil”, diku nga dhjetori i vitit 2006 apo në fillim të janarit 2007 në cilësinë e subjektit juridik tregtar shqiptar, për të cilën ju dhe unë disponoj të gjithë dokumentacionin përkatës ligjor të nevojshëm. Bazuar në aktin e themelimit dhe dokumentacionin ligjor të kësaj shoqërie, dy ishin ortakët themelues dhe njëkohësisht administratorë: Patrick Henry në cilësinë e personit fizik dhe Mihal Delijorgji po në cilësinë e personit fizik në kuotat respektive, 33 dhe 67 për qind. Dua të sqaroj se unë mora më shumë kuota për shkak se unë mora përsipër të investoj lidhur me përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, me krijimin e infrastrukturës shtesë si: lidhur me objektet e nevojshme që do të shtoheshin, ashtu edhe përmirësimin struktural të pjesëve funksionale, si dhe me përmbushjen e kërkesave dhe pagesave me të tretët që ndikonin në realizimin e kësaj veprimtarie, ndërsa Patrick Henry mori përsipër sjelljen e linjës teknologjike me regjimin doganor të përkohshëm, linjë e cila do të tërhiqej nga ai mbrapsht në përfundim të këtij procesi. Gjithashtu duke qenë se kishte eksperiencat, potencialin e specialistëve dhe licencën për realizimin e këtij procesi, solli specialistët përkatës të fushës, detyrime të cilat ai i përmbushi.
Pasi u themelua shoqëria me të gjithë elementët e përshkruar më sipër, shoqëria SAC e përfaqësuar nga Patrick Henry, duke qenë se ishte fituese dhe kishte marrë përsipër procesin e demontimit të municioneve nga Ministria e Mbrojtjes, kontaktoi me strukturat përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes për përcaktimin e vendit ku do bëhej demontimi, ku pasi ishin parë disa opsione si: Një repart nga Uzina e Tankeve, një repart diku afër Peqinit si dhe një në Bërzhitë, dhe më në fund për arsyet që u vlerësuan nga të dy palët, SAC dhe Ministria e Mbrojtjes, thënë nga të dy palët sepse unë nuk isha pjesë dhe nuk kisha marrë pjesë në këtë përzgjedhje. Pra, përfundimisht u vendos që procesi të realizohej në Gërdec. Që nga ky moment, unë pasi u vura në dijeni të këtij vendimi për zhvillimin e këtij procesi në Gërdec, vajta dhe pashë vendin së bashku me Patrick-un dhe fillova përmbushjen e detyrimeve të mia për përmirësimin e strukturës ekzistuese, të ndërtimit të ambienteve shtesë për realizimin e të cilave m’u desh një periudhë rreth 3 muaj. Paralelisht me investimet e mia Patrick Henry porositi në Amerikë linjën teknologjike për realizimin e demontimit, e cila erdhi nga Amerika deri në Vjenë ose në Itali me avion dhe prej aty u transportuan me kamion. Ky transport zgjati rreth tre muaj. Për realizimin e procesit të demontimit dhe vënin e në funksion të aktivitetit janë dy procese. Procesi i parë nuk ishte pjesë e shoqërisë “Albademil”, sepse nuk ishte as e autorizuar as e licencuar, pra ishte një proces që i përgjigjej totalisht shoqërisë SAC. Ndërsa procesi i menaxhimit të produkteve pas demontimit ishte objekt i veprimtarisë së shoqërisë “Albademil”. Duke theksuar dhe nënvizuar që në këtë objekt të shoqërisë “Albademil” nuk përfshihej baruti, i cili administrohej totalisht nëpërmjet një përfaqësuesi të caktuar nga shoqëria SAC, person ky shtetas amerikan, person i cili ishte sistemuar në hotel “Interkontinetal” Vorë, i cili ishte prezent në Shqipëri ditën e ngjarjes dhe është larguar dy ditë pas saj.
Baruti pasi magazinohej totalisht jashtë fabrikës dhe gjithnjë nën kujdesin dhe përgjegjësinë e shoqërisë SAC, shitej, bazuar në kontratat e nënshkruara nga SAC në Belgjikë. Operacione këto të dokumentuara dhe evidentuara në procedurat doganore në doganat shqiptare. Të gjitha të ardhurat e realizuara nga shitja e barutit, i merrte drejtpërdrejt shoqëria SAC dhe unë nuk kam përfituar asgjë nga këto të ardhura. Lidhur me administrimin dhe menaxhimin e produkteve të tjera, të cilat përfitoheshin nga procesi i demontimit, kryesisht nga gëzhoja dhe kokat e plumbit, të gjitha të ardhurat ishin pjesë e marrëveshjes në raportet e përqindjeve të përcaktuara në aktet e themelimit të shoqërisë.
Në përmbushjen e procesit të menaxhimit të këtyre produkteve metalikë, ne, me pëlqimin e të dy palëve kemi caktuar në cilësinë e drejtorit shtetasin Dritan Minxolli, gjithnjë për procesin e metaleve, duke përjashtuar procesin e demontimit dhe të barutit. Në cilësinë e drejtorit, Dritani merrej me procese të tilla si magazinimin e metaleve që dilnin pas demontimit, transportin, pagat dhe gjithë rutinën e përditshme lidhur me sa më sipër. Ndërsa unë shkoja njëherë në javë ose 10 ditë dhe në prezencat e mia në objekt unë takohesha vetëm me Dritanin në lidhje me mbarëvajtjen e punës dhe nëse kishte nevojë për zgjidhjen e një problemi. Pra, ne si “Albademil” kishim caktuar një drejtor në Gërdec që merrej me administrimin dhe menaxhimin e nënprodukteve metalike, shtetasin Dritan Minxolli, duke përjashtuar procesin e demontimit dhe menaxhimit të barutit.
Pyetje: Në të dyja kontratat që keni lidhur ju si shoqëri “Albademil” me shoqërinë SAC, keni marrë përsipër për të drejtuar dhe kontrolluar procesin e demontimit, duke respektuar kushtet dhe masat e sigurimit teknik të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar. Çfarë masash janë marrë nga ana juaj për përmbushjen e këtij detyrimi?
Përgjigje: Theksoj që në fillim që shoqëria “Albademil” nuk ka marrë përsipër transferimin e përgjegjësisë si një përgjegjësi bazë që rridhte nga projekti i demontimit dhe që palë në këtë marrëveshje përgjegjësie ishte Ministria e Mbrojtjes dhe shoqëria SAC. Kjo bazuar dhe prejardhur nga dy cilësi dhe kushte që kishte kjo shoqëri, për shkak të të cilave asaj iu dha dhe mori përsipër këtë proces demontimi të municioneve, konkretisht licenca dhe të pasurit në dispozicion të potencialit të specialistëve të fushës. Kritere këto bazë të cilat shoqëria “Albademil” nuk kishte as njërën e as tjetrën. Ajo që ka marrë përsipër shoqëria “Albademil” kishte të bënte me respektimin e të gjithë rregullave të detyrueshme, si për palët në procesin e demontimit, ashtu dhe për palët pjesëmarrëse në proceset e administrimit të nënprodukteve pas demontimit. Duke qenë se këto dy procese, si ai i demontimit dhe ai i menaxhimit dhe administrimit të produkteve që dilnin nga procesi i demontimit realizoheshin në të njëjtin vend, ishte e detyrueshme për shoqërinë “Albademil” të respektonte të gjitha rregullat e realizuara në këto procese. Ky është detyrimi në kuptimin e marrjes përsipër nga shoqëria “Albademil”, për respektimin e rregullave në këtë proces. Edhe sikur të propozojmë për një moment që shoqëria “Albademil” ka marrë përsipër përgjegjësinë e të gjithë procesit të mësipërm si dhe të demontimit dhe atë të administrimit dhe menaxhimit të produkteve të demontimit, qoftë ky kalim përgjegjësie me shkrim apo me gojë, në kuptimin juridik një kalim i tillë përgjegjësie e veshur me çfarëdo lloj forme juridike është totalisht dhe absolutisht e pavlefshme pa praninë si palë dhe pa dhënien e pëlqimit nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo për faktin se baza e përgjegjësisë së këtij projekti, lidhur me procesin e demontimit buronte dhe bazohen ekskluzivisht në marrëveshjen midis Ministrisë së Mbrojtjes (MEICO) dhe shoqërisë SAC. Kjo përgjegjësi në asnjë rast nuk mund të transferohej nga shoqëria SAC te persona të tretë, qofshin këta persona fizikë apo juridikë pa miratimin dhe pëlqimin e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi në këtë transferim kërkohen dy kushte. I pari është dhënia e pëlqimit nga pala që ka dërguar projektin, siç është Ministria e Mbrojtjes dhe kushti i dytë është subjekti që i kalohet në përgjegjësi duhet të përmbushë si kusht të domosdoshëm të ekzistencës së licencës dhe të potencialit të specialistëve për përmbushen e kësaj veprimtarie dhe kërkon specialistë me njohuri të thella në këtë fushë. Kushte këto, të cilat nuk janë respektuar në këtë marrëveshje të pretenduar se kjo përgjegjësi i paska kaluar shoqërisë “Albademil”. Por në rastin konkret lidhur me këtë marrëveshje nuk ekziston as pjesëmarrja në të si palë e Ministrisë së Mbrojtjes, as dhënia e pëlqimit nga ana e kësaj ministrie për kalimin e kësaj përgjegjësie nga SAC tek “Albademil”. Si dhe shoqëria “Albademil” nuk ka licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti të demontimit, pra nuk ka kushtin teknik. Pra, në këto kushte e ritheksoj edhe sikur do të pranonim për një moment ekzistencën e kësaj marrëveshjeje për transferimin e përgjegjësisë nga SAC tek “Albademil” ishte si detyrim parësor i SAC të vinte në dijeni Ministrinë e Mbrojtjes për këtë transferim përgjegjësie që ajo të shikonte bazueshmërinë në ligj të këtij transferimi. Kjo për faktin që unë jam i bindur se nëse shoqëria SAC do t’ia kërkonte dhënien e pëlqimit për këtë transferim, Ministria e Mbrojtjes në mënyrën më absolute nuk do të pranonte këtë transferim përgjegjësie, pra edhe për marrëveshjen në fjalë, për faktin se nuk plotësoheshin kushtet e sipërpërmendura për marrjen përsipër të kësaj përgjegjësie. Për këto arsye kjo marrëveshje është absolutisht e pavlefshme që nga momenti i nënshkrimit të saj. Pretendohet se shoqëria SAC është zhveshur nga përgjegjësia e procesit të demontimit, duke ia kaluar atë shoqërisë “Albademil”. Duke qenë absolutisht e pavlefshme juridikisht, kuptohet që nuk ka prodhuar asnjë pasojë. Pra, sa më sipër, shoqëria “Albademil” nuk mund dhe nuk është përgjegjëse në procesin e demontimit të municioneve. Të pranosh kalimin e kësaj përgjegjësie nga SAC tek “Albademil” pa praninë dhe pa dhënien e pëlqimit nga Ministria e Mbrojtjes, është njësoj sikur të pranosh që një subjekt fizik apo juridik, i cili ka marrë një hua në bankë t’ia kalojë përmbushjen e përgjegjësive që rrjedhin nga kontrata e huas, nëpërmjet një marrëveshjeje nuk thirret si palë banka, e cila e ka dhënë kredinë që të japë pëlqimin për këtë zëvendësim.
Pyetje: A ka pasur një rregullore ku përcaktoheshin rregullat teknike për administrimin e municioneve që vinin për demontim gjatë demontimit dhe të produkteve që përftoheshin nga demontimi dhe a është kërkuar një rregullore e tillë qoftë nga MEICO, qoftë nga Ministria e Mbrojtjes?
Përgjigje: Sa më sipër dua t’ju kujtoj se unë qoftë në cilësinë e personit fizik, qoftë në cilësinë e personit juridik, apo në cilësinë e ortakut themelues apo të bashkadministratorit të shoqërisë “Albademil” në ato përqindje raporti që u shpjegua më sipër, nuk kam pasur asnjë lidhje me shtetin shqiptar në përgjithësi dhe me Ministrinë e Mbrojtjes në veçanti. Lidhje kjo e materializuar me një akt juridik, marrëveshje apo kontratë, përfshirë këtu edhe procesin e demontimit të municioneve. Procesi për të cilin nuk kam qenë i detyruar dhe as i ngarkuar nga ligji për nxjerrjen dhe zbatimin e akteve nënligjore, përfshirë këtu dhe rregulloren për faktin se nuk kam qenë palë në kontratën që rregullonte këtë proces. Këtë pyetje duhet t’ia drejtoni Ministrisë së Mbrojtjes dhe shoqërisë SAC që morën përsipër dhe kishin detyrimin ligjor në realizimin e procesit të demontimit të municioneve dhe kjo është arsyeja që shoqërisë “Albademil” dhe mua personalisht në cilësinë e bashkortakut themelues dhe bashkadministrator nuk më është komunikuar dhe vënë në dispozicion për t’u zbatuar asnjë rregullore, qoftë nga Ministria dhe qoftë nga SAC. Ne, shoqëria “Albademil” gjatë përmbushjes së objektit të veprimtarisë së saj, ka zbatuar të gjitha rregullat ligjore të parashikuara dhe në fuqi.
Procesverbali ndërpritet me kërkesën e avokatit për shkak se është e shtunë dhe do të largohet jashtë Tirane.
Procesverbali pasi lexohet firmoset pa vërejtje nga të pranishmit
Personi nën hetim: Mihal Delijorgji
Prokurori: Alfred Progonati
Avokati mbrojtës
Oficeri i Policisë Gjyqësore: Teufik Sulejmani
“Gërdeci”, të hënën paraqiten në gjykatë kërkesat paraprake
TIRANE - Paraditen e të hënës pritet që të pandehurit e dosjes “Gërdeci” të dalin para Gjykatës së Lartë për të nisur seancën e parë të procesit. Mungesa e avokatëve mbrojtës dhe njërit prej të pandehurve u bë shkak që të hënën e kaluar të dështonte seanca gjyqësore. Kolegji Penal pesëanëtarësh i Gjykatës së Lartë pohoi në proces se do të merrte përsipër njoftimin e palëve që mungonin, ndërsa u komunikoi të pranishmëve se duhet të paraqiteshin pas një jave sërish në gjykatë. Trupi gjykues, seancën e kaluar verifikoi gjenealitetet e të pandehurve dhe dokumentacionin e avokatëve mbrojtës të secilit, ndërsa u detyrua të shtynte gjykimin për një javë më vonë. Pritet që ditën e nesërme palët të paraqesin kërkesat paraprake. Organi qendror i akuzës ka dërguar në gjykatë 28 të pandehur, ish-ushtarakë dhe funksionarë civilë të Ministrisë së Mbrojtjes, përfshi edhe ish-ministrin Fatmir Mehdiu, ndërkohë është dërguar e pandehur edhe kompania e Mihal Delijorgjit, “Albademil”. Ndërkohë, seancën e nesërme pritet të legjitimohen në cilësinë e palëve në proces, avokati e shtetit, juristët e qeverisë dhe përfaqësuesit ligjorë të viktimave të Gërdecit, të cilët kërkojnë shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit të vitit të kaluar. Seancën e kaluar nuk u paraqit në proces asnjë prej të pandehurve VIP të këtij procesi, si të arrestuarit Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, apo dhe ish-ministri Mediu. Këta kishin pajisur me prokura përfaqësimi avokatët e tyre mbrojtës, të cilëve u kishin dhënë tagra përfaqësimi në të gjitha shkallët e gjykimit, si dhe i kishin autorizuar të bënin çfarëdolloj kërkese që e vlerësonin në favor të mbrojtjes. fa.ma
Patrick Henry punoi me Delijorgjin në Gërdec
TIRANE – Shtetasi amerikan Patrick C. Henry III, për të cilin Mihal Delijorgji flet në dëshminë e tij, është administrator i kompanisë Southern Ammounition Company (SAC). Ky subjekt u bë prezent në Shqipëri në vitin 2006 dhe rezulton të ketë një licencë për demontimin e fishekëve vetëm për kalibrat e vegjël. Pasi erdhi në Tiranë, Patrick Henry nëpërmjet kompanisë së tij SAC, nënshkroi bashkë me Delijorgjin kontratën e parë me ndërmarrjen MEICO, për demontim fishekësh. Pa të drejtë ligjore, pasi nuk kishte licencë, kompania SAC e Patrick Henry, nënshkroi më vonë në fund të 2007-ës një kontratë të dytë me ndërmarrjen MEICO, kësaj here për demontim predhash të kalibrit të rëndë, pa zotëruar në fakt një licencë për këtë.