E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu socialist shigjeton kandidatin Xhaferraj

15/04/2011  Përurimet elektorale, Dako e Rama përurojnë sheshin “Demokracia” në Durrës

“Durrsakët s’mund të votojnë për një kandidat aspak serioz dhe shëmbëlltyrë e dështimit”

Kreu socialist Edi Rama u ndal dje në qytetin bregdetar të Durrësit, ku përuroi sheshin “Demokracia”, pjesë e projektit “Epoka e re urbane”. Kështu, së bashku me kreun e kësaj bashkie, njëkohësish kandidat për një tjetër mandat në 8 maj, Vangjush Dako, u ndalën në sheshin “Demokracia” për të inauguruar përfundimet e projektit ambicioz për transformimin e këtij sheshi në një shesh modern, në përputhje me vizionin e bashkisë për modernizimin e Durrësit. Kreu socialist Rama, pasi ka evidentuar faktin se pushteti lokal i drejtuar nga PS është përpjekur të bllokohet nga qeveria e PD, ka nënvizuar se “dhe në këto kushte mjaft të vështira, qeveritarët lokalë socialistë kanë arritur t’i zhvillojnë qytetet e tyre, duke i bërë ato më të bukura, më të zhvilluara”. Sipas Ramës, kryebashkiaku Dako është alternativa dhe rruga e vetme për Durrësin, për ta bërë këtë qytet një qendër të turizmit shqiptar, për të vijuar ndryshimet e mëdha dhe të prekshme për të gjithë banorët. Njëkohësisht, ndalur në një garë të tillë elektorale, kryetari i PS-së, Rama, ka ironizuar mbi figurën e rivalit të Dakos, konkretisht kandidatin e PD, Ferdinand Xhaferraj. Sipas Ramës, Xhaferraj nuk është gjë tjetër vetëm se shëmbëlltyra e Saliut në Durrës. Kryesocialisti ka ironizuar ndaj kandidatit Xhaferraj, duke u shprehur se ai është si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që do të sjellë eshtrat e Ismail Qemalit nga Italia. Sipas tij, durrsakët nuk mund të votojnë për një kandidat të tillë aspak serioz dhe shëmbëlltyrë e dështimit të një qeverie ku ai ka qenë ministër. Kandidati socialist për Bashkinë e Durrësit, Dako, në fjalën e tij ka nënvizuar se “ndërsa ata na bllokojnë, ne punojmë; ndërsa ata na bojkotojnë, ne projektojmë; ndërsa ata flasin, ne do të vazhdojmë të punojmë. Ajo që kemi filluar së bashku katër vjet më parë nuk mund të ndalet më. Me ne dhe së bashku, është e vetmja rrugë për Durrësin, për durrsakët, për fëmijët tanë, për të ardhmen dhe për Shqipërinë”.

Takimet

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një sërë takimesh elektorale gjatë ditës së djeshme. Që në orët e para të ditës së djeshme, kryebashkiaku nisi takimet derë më derë në kryeqytet, për të vijuar më pas me prezantime të kandidatëve të kësaj partie në garën për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të 8 majit. Pas takimit në Durrës, kreu socialist ka kaluar në Berat, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie, Fadil Nasufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›