E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet babai “mostër”, i shfrytëzonte të bijat 8 dhe 10 vjeç

15/04/2011  U siguronte klientë me pagesë, në pranga dhe 3 shtetas të tjerë. Makthi, që prej 2004-ës

KORÇE- Policia e Korçës ka mundur të vërë nën pranga 5 persona, të cilët shfrytëzonin në mënyrë sistematike dy vajza të mitura, ku njëra ishte 8 vjeç dhe tjetra 10 vjeç. Dy vajzat e vogla së paku janë shfrytëzuar seksualisht për disa vite me radhë, duke filluar që nga viti. Vetëm pas më shumë se 5 vjetëve të shfrytëzimit seksual, policia mundi të binte në gjurmët e këtij akti barbar, kur dy vajzat e vogla kishin përjetuar çdo tmerr dhe traumë të pallogaritshme nga logjika njerëzore, të cilat ende nuk e dinin se çfarë po ndodhte me to.

Ngjarja

Kjo ngjarje tragjike kaloi përmasat e çdo tmerri kur nga burime të policisë u mësua fakti se ai që i shfrytëzonte dy vajzat e mitura për qëllime prostitucioni ishte babai i tyre. Madje ishte ky i fundit që gjente klientët për dy bijat e tij të vogla. Ndërkohë është bërë i ditur fakti së mes këtij grupi bënte pjesë dhe një i moshuar, 79 vjeç nga qyteti i Korçës. Të gjitha rrethanat e ngjarjes flasin për një ngjarje tepër tronditëse që kalon çdo përmasë të mendimit njerëzor. Edhe pse ngjarja kishte vijuar që nga viti 2004, policia e Korçës mundi të binte në gjurmët e kësaj ngjarjeje vetëm tre muaj më parë, gjë që do të thotë se pas tre muaj investigimesh u bë i mundur arrestimi i 5 personave dhe i autorit kryesor të kësaj ngjarjeje, i cili ishte babai i dy foshnjave. Në lidhje me këtë ngjarje që ka lënë të shokuar gjithë rajonin e Korçës burime të policisë bënë të ditur se ditën e enjte rreth orës 13:00 pas një pune të mirëorganizuar 3- mujore, nga Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Korçë, u finalizua me sukses operacioni i koduar “JUNIOR” ku u bë e mundur arrestimi i shtetasit: Pëllumb M., 52 vjeç banues në qytetin e Korçës, i cili gjatë viteve 2004-2005 dhe 2006 ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni 2 vajza të mitura të moshës rreth 8 dhe 10 vjeç me inicialet I. P dhe M. P., i cili ka qenë dhe babai i dy vajzave të vogla. Policia nuk ka përcaktuar moshën se kur filluan të shfrytëzoheshin seksualisht dy të miturat, por nga informacioni policor kuptohet fare qartë se shfrytëzimi i tyre ka nisur kur njëra prej foshnjave së paku ka qenë 8 vjeç, ndërsa tjetra 10 vjeç. Megjithatë, në vijim të këtij informacioni, burime të policisë konfirmuan se ky shtetas (babai i dy të miturave) ka konsumuar në këtë mënyrë veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana renduese” parashikuar nga neni 114/a pika 1, 2, 3, 4 te Kodit Penal. Por ndërsa është arrestuar babai i dy vajzave në të njëjtën kohë është bërë i mundur dhe arrestimi i disa personave të tjerë. Sipas policisë, është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur” parashikuar nga neni 100 paragrafi 1 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve: Andrea Nameti, 62 vjeç, banues në fshatin Mborje të Korçës, i dënuar më parë për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale me të mitur” dhe Skënder Korollarit, 35 vjeç, sërish banues në fshatin Mborje të Korçës. Ndërkaq të njëjtat burime bënë të ditur gjithashtu se ndërkohë për të njëjtën vepër penale është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për shtetasin Nevruz Kollani, 79 vjeç banues në qytetin e Korçës. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit e sipërpërmendur kanë kryer marrëdhënie seksuale në mënyrë sistematike përgjatë viteve 2004- 2005 dhe 2006, me dy vajzat e mitura kundrejt pagesave qe ata ia jepnin shtetasit Pellumb M. Hetimet për zbardhjen e këtij krimi, saktësuan burimet e policisë, kanë nisur rreth 3 muaj më parë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Korçë, nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit dhe veprimeve të tjera procedurale, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve. Materialet e përpiluara për këtë rast tashmë i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›