Ministria e Punës: "Puna e Denjë" çelës i zhvillimit për tregun e punës

Ministria e Punës, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), po punon për zbatimin e Programit "Punë e Denjë për Shqipërinë -2008-2010", me synim, rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, reduktimin e ekonomisë informale dhe përmirësimin e sistemit të mbrojtjes shoqërore, faktorë mjaft të rëndësishëm në reformimin e tregut të punës. Programi Shqiptar për "Punë e Denjë (DWCP) 2008-2010", promovon punën e denjë si çelës zhvillimi, duke u përqendruar në tre prioritete: rritja e kapacitetit të institucioneve shtetërore dhe partnerëve socialë, me qëllim përmirësimin e administrimit së tregut të punës; mbështetja e masave të marra nga Qeveria për reduktimin e ekonomisë informale; përmirësimi i mbulimit të sistemit të mbrojtjes sociale. Në zbatimin e këtij programi, ILO po jep mbështetje aktive lidhur me politikat për punësim aktiv dhe me ndjeshmëri ndaj çështjeve gjinore, për forcimin e institucioneve, zhvillimin e politikave dhe rritjen e kapaciteteve të aktorëve trepalësh, administrimin e sigurimeve shoqërore, etj. Objektivi i programit "Puna e Denjë për Shqipërinë, (2008-2010)" e ILO-s, është në sinkron me nismën e qeverisë për eleminimin e informalitetit në tregun e punës, pasi punëtorët e rinj në moshë janë të mbi-përfaqësuar në ekonominë informale në të gjithë sektorët dhe në të gjithë vendin. ILO ka konstatuar se rreth 55% e punëtorëve në sektorin jo-bujqësor punojnë në punë me produktivitet të ulët në ekonominë informale. Sipas raportit të këtij programi, për sektorin e bujqësisë rezulton se pjesa më e madhe janë të vet-punësuar dhe gjysma, të varfër. Rreth 27% e punëtorëve të sektorit jo-bujqësor janë punëtorë me pagesë në ekonominë informale, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, rreth 28% janë ose të vetëpunësuar, ose merren me punë të papaguar, kanë nivel të ulët arsimor dhe në përgjithësi, i takojnë seksit mashkull.
...