E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendosen standarde të reja për mbrojtjen e pacientëve

Të drejtat e pacientit në spital mund dhe duhet të maten, konsideron Qendra Kombëtare e Standardeve, Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKSCA-ISH), e cila për herë të parë, ka kryer një studim për matjen e të drejtave të pacientëve, si një standard i domosdoshëm i kujdesit shëndetësor.  Sipas qendrës, të drejtat e pacientëve përbëjnë një nga fushat më të neglizhuara përsa i përket matjes së të drejtave të pacientëve, pasi asnjëherë nuk është kërkuar që të zbatohen, ndaj dhe nuk mungon sistemi i matjes së tyre në raport me sistemin shëndetësor. Në studimin e kryer nga kjo qendër në disa spitale të vendit, është vërtetuar se standardi i derisotëm i të drejtave të pacientëve, hartuar nga një grup specialistësh të huaj dhe miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka mbetur larg nivelit të kërkuar. Matja dhe krahasimi i sistemit shëndetësor në Evropë lidhur me treguesit shëndetësor për të drejtat dhe përgjigjshmërinë ndaj pacientit dhe qytetarit si konsumatorë, prej 3 vitesh është iniciuar në vendet e Bashkimit Europian dhe në vitin e fundit, në to janë përfshirë Kroacia dhe Maqedonia.  Në publikimin "Euro Health Consumer Indeks 2008", 31 vende të Europës janë radhitur sipas performancës së arritur në 20 indikatorë, me një numër total pikësh të vlerësimit të pritshëm të mundshëm deri në 1000. Në krye të vendeve të para më të suksesshme me mbi 800 pikë, radhiten Holanda, Danimarka dhe Austria. Të fundit në performancë në këtë sektor kanë rezultuar Kroacia, Maqedonia dhe Letonia. Sipas QKSCA-ISH, "interesant është fakti se 2 vendet fqinje, Maqedonia dhe Kroacia, kanë kërkuar vetë të jenë pjesë e kësaj experience". Sipas qendrës, këto dy shtete pavarësisht se dinë që nuk janë në nivelin e vendeve të tjera, janë të sigurt që një proces matjeje dhe krahasimi të indikatorëve në mënyrë publike e transparente, do t’i nxisë që të përmirësohen progresivisht dhe të mos pajtohen me të prapambeturit. “Është koha që edhe ne të dalim nga izolimi dhe të bëjmë hapa për t’ju bashkuar eksperiencës evropiane", vlerësojnë burimet nga kjo qendër. Prioritetet e ardhshme në Shqipëri për të drejtat e pacientëve dhe qytetarëve në fushën e shëndetësisë, lidhen së pari, me krijimin e legjislacionit, të mekanizmave rregullatorë si dhe me një kulturë të re të përgjegjësisë për gjithçka që bëhet, ose jo, e cila do të kanalizojë veprimin dhe zbatimin jo me fushata, por në vazhdimësi. "Pacientët tanë i meritojnë të drejtat e tyre, meritojnë shëndetin dhe kujdesin, për të cilin, siç thoshte Nënë Tereza, ne punonjësit e shëndetësisë duhet t’ja japim jo vetëm me profesionalizëm, por me gjithë zemër dhe dashuri", konsideron QKSCA-ISH.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›