Berisha: Qeveria ime nuk vihet kundër ligjit

Gjykata Kushtetuese zhvilloi mesditën e sotme një seancë ku u shqyrtuan ankimimet e opozitës në lidhje me ligjin e dosjeve. Në përfundim të kësaj seance gjyqtarët vendosën që të presin propozimet e Komisionit të Venecias dhe më pas do të merrnin një vendim përfundimtar në lidhje me ligjin e lustracionit. Ndërkohë kreu i qeverisë Sali Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për të reaguar në lidhje me atë që vendosi Gjykata Kushtetuese. Berisha u shpreh se vendimi i Gjykatës është një normë ligjore që duhet zbatuar nga çdo qytetar i Republikës pavarësisht nëse ne jemi pro apo kundër tij. “Qeveria ime nuk vihet kundër ligjit dhe ne do të zbatojmë vendimet e saj. Qeveria s’del dot mbi gjykatat” tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Seanca e sotme në Gjykatën kushtetuese është zhvilluar pa praninë e medies. Një gjë e cila nuk e bën transparent vendimin e marrë për ligjin në fjalë, dhe që në të vërtetë nuk ka një normë ligjore apo një shkak të parashikuar në ligj që ta bënte këtë seancë sekrete. Por pavarësisht kësaj kjo gjykatë bëri edhe një publikim zyrtar në të cilin thuhet se "Në mbledhjen e sotme të Gjyqtarëve të Kushtetueses u vendos t'i kërkohet Komisionit të Venecias një opinion "Amicus curiae" për ligjin, si institucion i pavarur dhe i specializuar". Burime zyrtare pranë kësaj gjykate bënë me dije për gazetën se deri në momentin që nga Komisioni i Venecias do të vijë një përgjigje zyrtare, ligji i lustracionit i miratuar nga shumica e deputetëve nuk do të ketë fuqi vepruese, pra ligji në fjalë për momentin është i pezulluar. Sipas të njëjtave burime, marrja e një vendimi përfundimtar nga Kushtetuesja do të kërkojë më tepër kohë nga sa ishte parashikuar.
Që nga viti 2006 kjo është hera dytë që Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim një ligj. Tre vjet më parë në Kushtetuese shkoi për disa ndryshime ligji për “Legalizimet”.
...