E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijohen 2 strukturat për kontrollin dhe menaxhimin financiar, abstenon opozita

Kalon ligji i dytë për dublimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit

Kalon në Komision e Ekonomisë drafti i dytë për dublimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vetëm me votat e deputetëve të djathtë dhe me abstenimin e opozitës projektligji për Menaxhimin financiar është miratuar në parim dhe

pritet shqyrtimi nen për nen në mbledhjen e ardhshme të Komisionit të Ekonomisë. Opozita ka pranuar në parim hartimin e këtij drafti, sipas saj mbetet problem veprimi institucional dhe burimet njerëzore. Një tjetër shqetësim i ngritur nga opozita është dështimi i ligjit dhe kostoja financiare që do të shkaktohet. Për paralelizëm deputeti Arben Malaj solli në vëmendje ligjin për administratën publike, në zbatim të të cilit u larguan nga puna shumë punonjës të administratës, të cilët më pas fituan në gjykatë të drejtën për tu kthyer në punë. Edhe pse ato nuk u kthyen asnjëherë në vendet e tyre të punës trajtohen financiarisht dhe kjo ka shkaktuar një kosto për buxhetin e shtetit, i cili u faturohet taksapaguesve shqiptarë.


Komisioni
Përdorimi i fondeve publike dhe përgjegjësia për shpenzimin e tyre është parashikuar të rregullohet me një ligj të veçantë. Komisioni parlamentar i ekonomisë ka marrë në shqyrtim ligjin për menaxhimin e fondeve publike, pjesë e paketës së rekomandimeve evropiane për përafrimin e legjislacionit në aspektin financiar. Deputetët e partisë Demokratike kanë mbështetur draftin e Ministrisë së Financave duke cilësuar draftin si të domosdoshëm. Por përfaqësuesit e opozitës kanë shprehur rezervat në lidhje me hartimin dhe mosbesimin për zbatimin e tij. Pak ditë më parë në komision ka kaluar ligji i inspektimit financiar i cili është i lidhur ngushtë me këtë ligj. Ligji i menaxhimit të fondeve publike është një rekomandim që BE u bën të gjithë vendeve që synojnë anëtarësimin. Me të synohet të përcaktohet qartë ndarja dhe menaxhimi i fondeve publike, dhe në të njëjtën kohë përcaktohet me ligj edhe piramida e përgjegjësisë për përdorimin e këtyre fondeve. Ky ligj që ka nisur procedurën parlamentare të miratimit zëvendëson një ligj të vitit 1989.


Kontrolli i fondeve publike
Në këtë draft është parashikuar kontrolli i të gjitha fondeve publike përfshirë edhe fondet e Bashkimit Evropian, të cilat mblidhen, arkëtohen dhe mbahen shpërndahen apo shpenzohen nga njësitë e sektorit publik dhe qe përbëhen nga të ardhurat, shpenzimet kreditë dhe grandet për njësitë e sektorit publik. Në kontrollin e brendshëm janë përfshirë edhe proceset integrale të sistemit të menaxhimit financiar e të kontrollit si dhe i auditimit të brendshëm i vendosur nga titullari i njësisë publike, brenda objektivave të tij qeverisëse, për të ndihmuar në kryerjen e veprimtarisë publike në mënyrë të rregullt dhe eficente. Në projektligj është parashikuar edhe kontrolli i përgjegjshmërisë menaxheriale, sipas të cilës është parashikuar detyrimi i menaxherëve të njësive që në kryerjen e veprimtarisë respektojnë parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar, të ligjshmërisë e të transparencës në administrimin dhe të përgjigjen për veprimet e tyre. Llogaridhënia përfshin çështjet që lidhen me ndarjen e detyrave zhvillimin e menaxhimit financiar bashkërendimin dhe vlerësimin e raportimin për sistemet e menaxhimit financiar e të kontrollit. Llogaridhënia përfshin edhe përgjegjësinë për veprimet e kryera.


Auditimi
Sistemi i kontabilitetit është sistemi për përcaktimin njohjen, matjen klasifikimin dhe paraqitjen e të dhënave financiare që lidhen me veprimtarinë e njësisë publike. Ndërsa dokumenti financiar përfaqëson informacion origjinal plotësues si dhe të dhëna kontabël të regjistruara në çdo lloj forme, të krijuara të marra apo të mbajtura nga njësia publike.
Menaxhimi financiar dhe kontrolli është një sistem politikash, procedurash, veprimesh dhe kontrollesh, të cilat vendosen ruhen dhe përditësohen rregullisht nga titullari i njësisë publike dhe vihen në zbatim nga gjithë personeli me qëllim për të adresuar risqet e për të dhënë garanci të mjaftueshme se objektivat e njësisë publike do të arrihen përmjet pajtueshmërisë së legjislacionit dhe me aktet e brendshme e kontratat. Një tjetër pikë është ajo e informacioneve operative e financiare të besueshme e të plota, veprimet efektive dhe mbrojtjes së informacionit e të aktiveve

Miratimi i ligjit për inspektimin financiar
Kalon në parim në komisionin e ekonomisë projektligji Për inspektimin financiar publik. Projektligji është hartuar në kuadër të reformës për përmirësimin e menaxhimit të financave publike detyrim ky që lind nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Në të parashikohen gjithashtu dhe masa administrative me gjobë në rast shkeljes apo dhe kërkesë për procedim penal. Me këtë projektligj synohet ngritja e funksionit të inspektimit financiar publik në Ministrinë e Financave dhe kryerja e këtij funksioni në mënyrë ad-hoc për raste serioze të keqmenaxhimit financiar, mashtrimit dhe parregullsive. Projektligji i Ministrisë së Financave parashikon që çdo njësi e qeverisjes së përgjithshme ku përfshihet qeverisja qendrore, vendore por dhe fonde speciale, çdo shoqëri tregtare publike, organizata publike jofitimprurëse, autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga njësi të qeverisjes së përgjithshme ose në të cilën një njësi e qeverisjes së përgjithshme zotëron apo kontrollon një pjesë të pasurisë, e cila i jep pronarit të drejtën e kontrollit, si dhe çdo njësi apo individ që përfiton fonde publike apo fonde në bazë të një marrëveshjen ndërkombëtare.


Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›