E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijohet Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës

Krijohet Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës. 

Partitë politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë përqafuar idenë e hedhur nga LSI për krijimin e këtij komiteti, i cili do të organizojë dhe referendumin popullor për mbrojtjen e Kushtetutës. LSI, PAD, PDS, PSD, LZHK, Lëvizja për Politikë Institucionale dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të përbëjnë bazën e këtij komiteti, i cili do të ketë shtrirje në të gjithë vendin dhe do të zgjerohet me intelektualë, anëtarë dhe simpatizantë të partive politike, por dhe qytetarë të thjeshtë. Kryetar i këtij komiteti do të jetë analisti i njohur Artur Zheji. Pritet që më 10 maj të nisin hedhjet e firmave të para të qytetarëve për referendum. Kryetari i LSI-së Ilir Meta, akuzoi dje socialistët se kanë frikë nga referendumi. Meta shprehu dje habi me qëndrimin e Edi Ramës dhe deputetëve të tjerë socialistë në lidhje me referendumin për Kushtetutën. "Nuk do të isha i habitur, në rast se do të ishte Berisha dhe Partia Demokratike që do t'i kundërvihej vullnetit tonë, që populli shqiptar të shprehet me referendum, sepse Berisha ka qenë kundër asaj kushtetute dhe sepse Berisha atë që donte, që nga referendumi që humbi në vitin 1994 e mori për tre orë në Parlament. Habitem se si Partia Socialiste bën avokatin e mosmbajtjes së referendumit, kur ajo ka qenë për bërjen e Kushtetutës me referendum dhe kjo ka qenë merita më e madhe", tha Meta. Duke folur për situatën politike në vend, Meta tha se:  "Kushtetuta e Gërdecit e natës së 21 prillit, nuk u bë për të luftuar korrupsionin, por u bë për të mbyllur Gërdecin dhe për të konsoliduar Republikën e korrupsionit të Sali Berishës". "Arroganca e jashtëzakonshme e Berishës ndaj pushtetit të pavarur gjyqësor, vjen menjëherë pas goditjes dhe shkatërrimit, që ai i dha parimit të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së gjyqësorit, me ndryshimet kushtetuese që realizoi në natën e 21 prillit; vjen pas tërbimit të tij pas vizitës së dështuar në Bruksel, ku i shkulën veshin për premtimet e pambajtura për reforma, duke i bërë të qartë se për të nuk ka asnjë datë për hapa të mëtejshëm drejt procesit integrues, pasi të gjithë po e kuptojnë se Sali Berisha mund të bëjë vetëm antireforma", tha Meta.                       a.l

Isaraj
Subjektet politike të interesuara për referendum, duhet të kishin depozituar kërkesën në Kuvend brenda 15 ditëve, që nga miratimi i amendamenteve kushtetuese. Sipas pikës 3 të nenit 152, kërkesat për referendum nëse nuk depozitohen brenda 15 marsit, shtyhen për vitin e ardhshëm. Por, viti 2009 është vit elektoral, ku 6 muaj para zgjedhjeve nuk zhvillohen referendume.

Duçkallari
Pas prishjes së balancave në Kushtetutë, për të fuqizuar një kryeministër si Berisha, të mos befasohemi kur kreu i maxhorancës të kërkojë të ndërmarrë edhe një tjetër pseudoreformë me mbështetjen e pseudomaxhorancës së homogjenizuar tashmë, për të vënë nën këmbët e tij edhe Gjykatën Kushtetuese dhe marrë pse jo dhe kompetencat e saj.

Ceka
Nuk mund t'i mohohet popullit e drejta për të votuar ndryshimet kushtetuese. PS e ka kthyer kushtetutën e sotme njëlloj si ajo e '94 dhe ajo ndodhet në rrugë të gabuar juridike dhe politike. Ne nuk mund të pajtohemi me puçin e bashkërenduar të dy forcave politike, PD dhe PS kundër interesave të popullit, i cili e ka miratuar këtë Kushtetutë me votën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›