E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni blen shqiptarin Florenc Keri

Shqiptari Florenc Keri, i cili këtë sezon e mbylli me 14 gola te skuadra e U-19 të grekëve të Verrias, është blerë nga gjigantët gjermanë të Bajernit të Munihut.

Sulmuesi 18-vjeçar nënshkroi një kontratë katërvjeçare me kampionët e Gjermanisë dhe do të përfitojë 245 mijë euro në sezon. Lajmi është publikuar në median greke, e cila e ka cilësuar atë si një nga blerjet më të bujshme. Disa nga gazetat e kanë quajtur Kerin si shqiptaro-grek. Menaxheri i tij Dhimitri Barbatis punonte për llogari të Arsenalit në Greqi dhe dëshironte që lojtari i ri të vishte fanellën e klubit anglez, por i dërguari i Arsen Vengerit, Tomas Kost, i cili e pa në aksion lojtarin e ri kërkoi pak më shumë kohë derisa djaloshi të piqej. Pikërisht, këtu përfitoi Bajerni i Munihut, që nxitoi të siguronte edhe shërbimet e Kerit, apo siç thirret shkurt në Greqi, Lori. Për 18-vjeçarin Keri interesohej edhe Iraklisi i Selanikut, por edhe disa nga klubet e mëdha të Athinës, përfshirë Olimpiakosin e AEK-un. Florenc Keri ka lindur më 17 shtator të vitit 1990. Prindërit e tij janë larguar nga Shqipëria, dhe kanë emigruar në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›