Krim i dyfishtë në dhomën e gjumit
Nga Bulqiza, Hasan Pasha
Një krim i dyfishtë në pallatin e minatorëve në Bulqizë. Çifti i të rinjve Bledar e Arjeta Bilali, lindur në Shkodër e banues në Bulqizë, kanë humbur jetën tragjikisht dje në orët e para të mëngjesit. Rreth orës 09:00 banorët e pallatit nr.6 në lagjen “Gjeologu” janë tmerruar kur në njërën nga dhomat në pallatin e ish-punëtorëve të minierës së kromit kanë dëgjuar tre krisma arme. Të dhënat hetimore flasin për një krim brenda familjes, kur 24-vjeçarja ka qëlluar në gjumë burrin me të cilin bashkëjetonte e më pas veten. Duket se një lidhje e pakurorëzuar në martesë dhe e pasigurt për të ardhmen ka qenë dhe shkaku i vendimit ekstrem të së resë. Çifti ishte vendosur në Bulqizë 7-8 muaj më parë, pasi vajza i ishte bashkuar të riut pa lejen e prindërve të saj.
Ngjarja
Dëshmitari i vetëm i ngjarjes mësohet të ketë qenë i afërmi i Bledarit, Olsi Muja, lindur e banues në Shkodër. Muja ka fjetur natën e ngjarjes së rëndë në dhomën e familjes Bilali, pasi baballarët e tyre ishin “vëllezër”, (kishin pirë gjak me njëri-tjetrin). Atij i ka rënë të fikët në momentet e para të krimit, më pastaj është shoqëruar në komisariatin e policisë së qytetit, ku ka dhënë deklarimet e tij për vrasjen e çiftit. Sipas Mujës, Bledari, Arjeta dhe ai kanë qëndruar së bashku deri në orët e vona të natës. “Unë dhe Bledari,- është shprehur Olsi,- kemi qëndruar deri në orën 4 të mëngjesit pa gjumë, duke parë televizor, duke pirë cigare e pije freskuese. Arjeta fjeti rreth orës 1, duke na thënë se ndjehej e lodhur. Mua më shtruan të fle në një divan, në të njëjtën dhomë ku flinte Bledari e Arjeta. Rreth orës 9 dëgjoj dy krisma dhe zgjohem i tmerruar. Kam bërtitur me të madhe: “Çfarë po bëni? Bledari ishte në krevat i pajetë, ndërkohë Arjetën e shoh në mes të dhomës me pistoletë në dorë, duke qarë me zë të lartë. I lutem të hedhë pistoletën, por ajo kishte hapur gojën, kishte futur grykën e pistoletës në gojë dhe pak çaste pas dy krismave të para qëlloi për herë të tretë, tani mbi trupin e saj. U shemb përtokë dhe unë lajmërova menjëherë komshinjtë. Ata erdhën shpejt, por Arjeta dhe Bledari ishin të pajetë”. Kjo është një pjesë e rrëfimit të dëshmitarit të vetëm në komisariatin të policisë Bulqizë, duke e përjashtuar atë nga pista e mundshme e vrasjes së çiftit Bilali.
Policia
Sipas drejtorit të policisë së Qarkut Dibër, Ali Elezi rreth orës 09:00 është njoftuar shefi i komisariatit Bulqizë, Marash Loci se në lagjen “Gjeologu”, në një nga dhomat e pallatit të punëtorëve ndodhej një çift i pajetë. Fillimisht çifti nuk identifikohej sepse nuk kishin me vete asnjë lloj dokumenti, por pasi janë pyetur komshinjtë janë gjetur gjenealitetet e dy viktimave, Bledar Bilali 28 vjeç dhe Arjeta Bilali 24 vjeçe. Bledari, person me precedent penal në Shkodër grumbullonte kromin që bulqizakët mblidhnin nga stoqet, ndërkohë Arjeta qëndronte shumicën e kohës në shtëpi. Sipas Elezit kemi të bëjmë me një vrasje brenda familjes, ndërkohë që motivet nuk janë zbardhur plotësisht. “Dy ditë më parë, - tha Elezi, për gazetën “Panorama” - Bledari dhe Arjeta janë kthyer nga Shkodra së bashku me Olsi Mujën. Kanë darkuar së bashku, madje kanë qëndruar deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Të tre këta persona kanë fjetur në të njëjtën dhomë, ndërkohë që rreth orës 09:00 ka ndodhur ngjarja e rëndë, ku protagoniste nga hetimet e para rezulton të jetë Arjeta Bilali. Bledari ka dy plumba në kokë. Plumbat kanë ardhur nga i njëjti drejtim, në momentin kur ai flinte gjumë në krevat. Ndërkohë, Arjeta ka një plumb në gojë. Asaj nuk i janë dëmtuar buzët e gojës, pasi qytën e pistoletës e ka futur brenda”. Shumë shpejt, sipas Elezit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, të cilët udhëtuan me helikopter, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore Dibër, eksperti mjeku-ligjor nga Burreli H. Spahia, etj. Vrasja sipas numrit një të policisë Dibër është kryer në gjumë dhe me të njëjtën armë, ndërkohë që në dhomë është gjetur dhe një automatik, por ai nuk është përdorur.
Bledar Bilali, të gjithë precedentët e 28-vjeçarit
Burime të sigurta policore saktësojnë se Bledar Bilali kishte disa precedentë të mëparshëm penale. Ai ishte liruar një vit më parë nga burgu, pasi akuzohej se kishte plagosur një banor të Shkodrës. Gjykata e rrethit i kishte dhënë pafajësi, por ai i trembej hakmarrjes ndaj ishte transferuar nga Shkodra dhe ishte vendosur në qytetin e Bulqizës, ku kishte gjetur edhe mbështetjen e disa njerëzve të tij të afërm të policisë lokale. Komshinjtë thanë se ai u ishte shprehur se kishte ardhur në Bulqizë pasi ishte në hasmëri. Fillimisht ka punuar me firmën private “Albavia”, në Rrugën e Arbrit, më pastaj është bashkuar me ortakët e Gjin Nikës, duke grumbulluar krom nga qytetarët e Bulqizës e më pas tregtimin e tij. Mësohet se natën e fundit të jetës ai kishte shitur një sasi të konsiderueshme kromi dhe duhet të paguante të paktën shtatë punëtorë që kishin punuar për llogari të tij. Ndërkohë, banorë të qytetit thonë se një muaj më parë viktima me persona të tjerë kanë dhunuar gati për vdekje përgjegjësin e rojeve private të minierës, B. Cami, duke i shkaktuar atij fraktura vetëm se u kishte bllokuar një mjet që ata tentonin ta fusnin në territorin e minierës së kromit. Dy net më parë, Olsi Muja dhe Bledar Bilali, kanë vajtur në një ceremoni dasmore, po në lagjen “Gjeologu” dhe krejt pa kujtuar kanë nxjerrë nga brezi një armë brezi duke terrorizuar dasmorët. Ndonëse janë shumë ngjarje të regjistruara në emër të Bilalit, policia e hedh poshtë pistën e krimit për shkaqe hakmarrjeje.