E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë dilema për universitetet shqiptare

 

Shtatë dilema për universitetet shqiptare. Nga cilësia e diplomave tek autonomia e universitetit publik, konkurrenca reale e sektorit privat universitar dhe mënyrat e ndërhyrjes dhe pjesëmarrjes së shtetit në Arsimin e Lartë. A duhet të licencohen kështu, si deri tani, degët dhe universitetet e reja publike dhe private, apo duhet ndërruar mënyra? A mjafton diploma e universiteteve apo provimi i shtetit për shkencat dhe profesionin? Dhe më e fundit, si duhet të ndryshojë skema dhe parimi i financimit publik në Arsimin e Lartë shqiptar? Të gjitha këto përbëjnë dilema dhe debat. Dhori Kule, Besnik Aliaj dhe Henri Çili, japin përgjigjet e tyre për 7 dilemat.
7  Dilema për universitetin shqiptar
1- Cilësia e diplomave të universiteteve shqiptare, po bie apo ngrihet?
DHORI KULE: Është e vështirë të bëhen komente krahasuese për cilësinë e diplomave në kohë të ndryshme. Më e arsyeshme do të ishte të krahasohej cilësia e diplomantëve. Mund të pohoj se, nëse krahasojmë bashkësi numerike të njëjta të diplomantëve në kohë të ndryshme, ka rritje të cilësisë dhe aftësisë së tyre, e cila është e ndryshme në degë e specialitete të ndryshme.
BESNIK ALIAJ: Mendoj se me prezantimin e sektorit privat në Arsimin e Lartë është hedhur një hap i madh reformues për të prezantuar elementin e konkurrencës në tregun e ri të edukimit universitar në Shqipëri. Sidoqoftë, kjo është e pamjaftueshme për të garantuar një treg të ndershëm, efiçent dhe cilësor. Prandaj përgjigjen ndaj pyetjes suaj unë do të doja ta specifikoja më shumë. Unë mendoj se në Shqipëri ofertat për edukim universitar janë rritur dhe pasuruar, duke krijuar një larmi të madhe profilesh dhe alternativash studimi. Në kushtet kur institucionet publike ende nuk kanë arritur të bëjnë punën e tyre, siç duhet për të matur plotësimin e standardeve dhe për të garantuar një treg normal, mendoj se vlerësimi për diplomat duhet të bëhet rast pas rasti dhe jo i përgjithësuar. Pra, mendoj se cilësia varet shumë nga shkolla, nga filozofia e saj, nga stafi akademik e drejtuesit dhe politikat e aplikuara prej tyre dhe mbi të gjitha, nga përmbushja cilësore e standardeve. Ka shkolla private apo publike, që në këtë moment mund të thuhet me plot gojën që japin diploma dhe njohuri cilësore, sikurse ka shkolla publike e private që për fat të keq duket sikur “shesin” diploma, të cilat unë mendoj se nuk kanë asnjë vlerë në treg. Këtu pastaj ka shumë vend për të diskutuar për problemet e vetë tregut, por nuk dëshiroj të zgjatem më tej.
HENRI ÇILI: Në radhë të parë, diplomat në Shqipëri po shtohen nga pikëpamja sasiore dhe e llojshmërisë. Kjo ka krijuar idenë që cilësia e diplomave po bie. Ndoshta është e gabuar në parim kjo ide paraprake. Cilësia e diplomave po ndryshon, as po bie as po ngrihet. Thjesht duhen mekanizma të tjerë të filtrimit të diplomave që nxjerr sistemi ynë. Për këtë duhet pak kohë për provën e tregut, mekanizma të verifikimit dhe garantimit të cilësisë. Sistemi për momentin është duke konsumuar zhvillimet sasiore kryesisht.
2-     A ka autonomi reale universiteti publik në menaxhimin e fondeve?
DHORI KULE: I mungon shumë dhe është shfaqje e faktit të thjeshtë që jemi në tranzicion, ku ballafaqohen elementë të sistemit të ri, që kemi vendosur të ndërtojmë me kthetra të sistemit të vjetër, që mbajnë peng universitetet publike. Në themel të këtij konflikti është ballafaqimi ndërmjet administrimit të centralizuar, me mosbesim ndaj strukturave të universiteteve publike, e për rrjedhojë, me inefektivitet dhe drejtimit të decentralizuar që gjeneron efektivitet dhe progres. Ndaj strukturave universitare në vendet e zhvilluara komunikohet me besim. Decentralizimi është efektivitet dhe përgjegjësi njëkohësisht. E ardhmja është fuqizimi i autonomisë financiare të universiteteve publike.
BESNIK ALIAJ: Unë kam punuar vetë 16 vjet në universitetin publik dhe me gjithë respektin që kam për vështirësitë dhe përpjekjet e bëra, më duhet të them se problemi më i madh në këto shkolla mbetet mungesa e autonomisë në vendimmarrje dhe financa. Kjo mungesë ka stimuluar si rrjedhojë një atmosferë mbytëse ndaj stafit dhe investimit për cilësi, punë shkencore dhe praktike. Unë jam kundër centralizimit të shkollave të larta publike, mendoj se atyre u duhen dhënë kompetenca të plota që të mos konsiderohen më shkolla shtetërore dhe të jenë të barabarta dhe konkurruese në tregun e Arsimit të Lartë, bashkë me institucionet private. Kjo do të zgjonte nga gjumi ata që kanë vite që vegjetojnë, duke inkurajuar një gjimnastikë të mirë institucionale për shkollat publike. Por kjo do të jetë mirë edhe për shkollat private, sepse do t’i vërë edhe ato përballë konkurrencës reale. Vetëm se pavarësia e vendimmarrjes dhe e financave për institucionet arsimore publike universitare duhet të shoqërohet me ndryshimin e mentalitetit dhe skemës së tyre të financimit aktual. Mendoj se duhet realisht barazi në treg. Financimi i qeverisë duhet të synojë të shkojë te përfituesit (studentët) dhe jo te shkollat publike. Duhet të jenë studentët ata që pastaj zgjedhin ofertat më të mira dhe më të përballueshme në treg, të sektorit publik dhe privat, ose një kooperim të tyre. Kjo i jep fund edhe debatit për korrupsionin. Kjo është gara e vërtetë që i bën mirë të gjithëve dhe do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë epokës së ‘sulltanëve të paprekshëm’ në mjediset akademike publike, të cilët duke përfituar nga politikat e ngurta publike të aplikuara gjatë tranzicionit, kanë bllokuar konkurrencën, idetë e reja dhe progresin akademik e shkencor në këto mjedise, duke krijuar monopole të pandershme brenda institucioneve të tyre, si dhe në përballjen me institucionet e tjera.
HENRI ÇILI: Është e qartë se sistemi ynë publik universitar është në shkallën më të ulët të autonomisë që ka pasur ndonjëherë, nga pikëpamja e përdorimit të fondeve, e lirisë për të menaxhuar dhe motivuar sistemin universitar. Qeveria apo ministria i cakton gjithçka universiteteve publike: nga numri dhe emrat e studentëve, nga vendet e punës te normat për pedagogët, gjithçka. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë. Universiteti publik ka nevojë për autonomi reale, por njëkohësisht ka një problem real: qeveria, duke dhënë praktikisht 100 për qind të buxhetit për universitetin, i jep të drejtën të diktojë universitetit publik gjithçka. Ndaj universiteti publik, në një farë mënyre, duhet të vijë në mekanizma të tilla që “t’i fitojë” vetë paratë dhe studentët dhe t’ia sjellë shteti “falas” apo të jetojë plotësisht përmes parave të qeverisë. Këtu e shoh ngërçin e mungesës së autonomisë. 
3- A ka konkurrencë reale për universitetet private në Shqipëri
DHORI KULE: Nuk gjykoj se ka konkurrencë reale, për sa kohë që kërkesa për këtë shërbim (arsim i lartë) është më e madhe se oferta e institucioneve ekzistuese të Arsimit të Lartë, publik e privat.
BESNIK ALIAJ: Siç  theksova më sipër, konkurrenca në këtë sektor në përgjithësi dhe sidomos në sektorin privat, është prezantuar sidomos me politikat e zbatuara në mandatin e kaluar qeverisës. Është një nga gjërat e mira që është bërë, por mendoj se ka shumë për të bërë, tashmë për ta sistemuar konkurrencën në një hulli morale, profesionale dhe ligjore. Në fakt, që në vitet e para opinioni publik ka filluar të bëjë një seleksionim të shkollave të larta në tërësi dhe sidomos të atyre private. Dihen tashmë në mënyrë informale se kush janë shkollat serioze dhe të angazhuara ndaj cilësisë dhe dihet kush janë ato që e trajtojnë dijen si një “mall”, në kuptimin banal të fjalës. Edukimi në fakt është pjesë e tregut, por bën pjesë në një segment tepër delikat dhe cilësor të tregut, me të cilën nuk mund të bëhet shaka. Është vështirë të vlerësosh në para punën që duhet për të edukuar një të ri që nesër do të jetë mjeku, arkitekti apo gjykatësi yt... Në këtë pikë, është një përgjegjësi e madhe që nuk po kuptohet njëlloj nga të gjithë. Në fakt, opinioni nuk ka shumë nevojë për tregues zyrtarë për të vlerësuar shkollat dhe cilësinë e tyre. Në tryeza dhe grupe miqsh flitet kudo dhe bëhet radiografia e çdo institucioni. Madje, unë mendoj se marketimi më i mirë nuk janë reklamat në televizor, pasi reklamimi më i mirë apo e kundërta vjen nga vetë studentët dhe pedagogët e një shkolle. Janë ata që ngrenë opinione të mira ose negative për një universitet, pasi janë ata që lexojnë dhe përfitojnë direkt, nëse angazhimi i drejtuesve është serioz apo fals. Pra më shumë se licencimi dhe akreditimi, janë opinionet e përfituesve dhe publikut ata që po përcaktojnë konkurrencën midis shkollave të larta private në Shqipëri, si dhe midis këtyre të fundit me sektorin publik. Koha së shpejti do të sjellë një seleksionim të tipit “natyror”, pas nxjerrjes së diplomantëve të parë në treg. Punësimi dhe performanca e tyre do të ndajnë, si me thënë, “shapin nga sheqeri”, vetëm se këtu ka shumë për të bërë nga institucionet publike. P.sh. nuk mund të lejohet të reklamohet në mënyrë të pandershme në media, të keqinformohet dhe gënjehet publiku, si në disa raste që konstatohen dy vitet e fundit. Shikojmë që shkolla të sapo licencuara deklarojnë që janë të licencuara, etj. etj.?!! Dhe askush nga institucionet publike që janë garantë të interesit publik dhe garës së ndershme nuk prononcohet. Kjo duhet të ndryshojë sa më shpejt për të mirën e arsimit në Shqipëri.
HENRI ÇILI: Të gjithë janë në hall: universiteti publik nuk ka autonomi, universiteti privat nuk ka konkurrencë. Si mund të ketë konkurrencë reale për sistemin privat, kur ky i fundit paguan çdo taksë, kurse universiteti publik është praktikisht falas dhe subvencionohet 100 për qind. Kjo gjendje duhet të ndryshojë: autonomi reale për publikun, konkurrencë reale për privatët.
4-     Hapja e universiteteve dhe degëve e cikleve të reja duhet të vijojë kështu apo të ndryshojë parim dhe procedurë?
DHORI KULE: Kushti i domosdoshëm është respektimi i kërkesave të ligjit për Arsimin e Lartë. Ju përmend një prej tyre, që kam dyshim se nuk zbatohet. Ligji kërkon që universiteti të ketë të paktën dy fakultete, fakulteti të ketë të paktën dy departamente dhe departamenti të ketë të ketë të paktën 7 pedagogë efektivë, nga të cilët tre me tituj e grada. Pra, minimalisht kur hapet një universitet publik apo privat duhet të ketë 28 pedagogë efektivë, nga të cilët 12 duhet të jenë me tituj e grada. Universiteteve duhet t’u kërkohet zbatimi i detyrimit që të jenë transparent me publikun. Minimalisht të publikojnë emrat e stafit akademik efektiv. Në këtë drejtim media duhet të kontribuojë.
BESNIK ALIAJ: Mendoj se ky është një nga shembujt më të mirë të mënyrës se si mund të bëhet rregullimi i sektorit. Nga njëra anë, duhet lënë e hapur mundësia që iniciativa e re të mos frenohet. Kjo gjë nuk duhet vrarë, sepse ndërpritet zhvillimi normal i tregut. Por ndoshta, duhet që autoriteti publik të ndërmarrë një studim për të kuptuar më mirë nevojat reale të vendit për arsim dhe profile studimi dhe sidomos për degë të reja. Pastaj dhe aplikimi i kombinuar i politikave incentivuese dhe dis-incentivuese, p.sh. në licencim, akreditim, financa, etj, mund të shërbejë si instrument që ndihmon në rregullimin e tregut, ku sidoqoftë, kriter primar dhe kryesor vlerësimi duhet të mbetet performanca e institucioneve dhe kualiteti i produktit.
HENRI ÇILI: Duhet ndërruar totalisht skema. Duhet që krahas standardeve bazë për të marrë një licencë apo për të hapur një program, të bëhet edhe garë, pra një lloj konkursi për licencat të reja, ku përmes një procedure të re dhe transparente, të konkurrojnë projektet që përmbushin standardet për të konkurruar dhe të fitojë projekti më i mirë. Pra, jo vetëm STANDARDE si sot, por STANDARDE dhe GAR¨. Shkurt, universiteti është një sektor me kapacitete të kufizuara. Nuk ka sens të kemi 200 universitete në Shqipëri. Duhet ndërruar totalisht skema.
5-    Akreditimi mjafton apo duhet ranking – renditje?
DHORI KULE: Akreditimi, në veçanti ai i kryer nga agjenci të huaja të specializuara, është i domosdoshëm për të verifikuar plotësimin e standardeve ligjore vendase, si dhe ato të tregut ndërkombëtar të Arsimit të Lartë dhe pasi verifikohet plotësimi i tyre, rankimi për degë e specialitete të njëjta të universiteteve të ndryshme është një proces pasues.
BESNIK ALIAJ: Unë mendoj se kombinimi i të dyjave shërben. Vendosja e filtrave në këtë situatë është e nevojshme, por sidoqoftë unë nuk e absolutizoj përdorimin e këtyre mekanizmave. Unë personalisht besoj tek tregu, por një treg me rregulla loje dhe këtë e trajtova më sipër. Unë besoj se më shumë se akreditimi dhe rankimi, vlerësimin për institucionet e bën tregu dhe vetë përfituesit. Janë ata “industria” reale e marketimit dhe vlerësimit të një institucioni. E përsëris, publiku tashmë e di mirë se kush është serioz dhe kush jo! Madje publiku është mjaft i ndjeshëm edhe kur dikush ul cilësinë. Kjo nuk do të thotë se institucionet publike përgjegjëse për cilësinë e produktit nuk duhet të bëjnë punën e tyre. Ata mund të orientojnë më mirë opinionin publik dhe të shmangin situatat e monopoleve të informacionit, duke mbrojtur interesin publik.
HENRI ÇILI: Akreditimi duhet, por nuk mjafton. Duhet dhe renditja. Duhet një renditje sipas një sistemi “një kuti, një masë” për të gjitha diplomat që lëshojnë universitetet shqiptare, ku ciklikisht të gjitha diplomat që lëshohen të kenë një relativizim me njëra -tjetrën. Për ilustrim, nëse ka 18 universitete shqiptare që japin diplomën “JURIST”, duhet të kemi një renditje nga një organizëm i besueshëm dhe i huaj që i vë pikë të njëjtës diplomë që lëshon secili. Kështu, publiku orientohet më thjeshtë dhe qeveria ka mundësi të ndërmarrë reforma e masa për të rritur cilësinë e për të ndërhyrë ose për përmirësim, ose për të mbyllur ato që janë poshtë një standardi minimal.
6-     A mjafton diploma e universiteteve apo duhet provimi i shtetit dhe licencat e profesionet, si një filtër shtesë?
DHORI KULE: Nëse diploma universitare ofrohet vetëm nga një universitet, testimet nëpërmjet provimeve të tjera pas diplomimit mund të bëhen, nëse oferta për vende të caktuara pune është më e vogël se kërkesa për to. Në kushtet kur funksionojnë më shumë se një universitet publik apo privat, nevojat e testeve unifikuese për disa specialitete është më imperative. Do të veçoja këtu, jurisprudencën, mjekësinë, etj.
BESNIK ALIAJ: Unë personalisht jam për rregullimin e profesioneve, jo domosdoshmërisht me provim shteti. Mendoj se shkollimi dhe praktika e detyrueshme, dhe e provuar 3-5 vjeçare, janë element pozitiv dhe të mjaftueshëm që dikush të futet më pas në garë i pavarur. Ngritja e urdhrave profesionale, të cilat mbeten të hapura dhe demokratike, gjithashtu mund të ndihmojë. Por të gjitha këto varen nga zbatimi i ligjit dhe niveli i organizimit kulturor dhe qytetar të një shoqërie. P.sh., një provim shteti monopol, si në rastin e Italisë, ku përsëri situatën e marrin në dorë “sultanët” e institucioneve monopolistike, siç përmenda më sipër, do të ishte vetëm një hallkë më shumë penguese në treg dhe për garën e ndershme. Ndërsa një eksperiencë si ajo në vendet anglo-saksone, si Bar Association, mund të ndihmonte.
HENRI ÇILI: Nevojitet patjetër ai që quhet “parimi i hinkës”. Mbaro ku të duash shkollën, por eja bëj provimin e shtetit për shkencat, ose provimin dhe procedurën e licencës, për të pasur të drejtën të meritosh një titull e një profesion të caktuar. Urdhrat profesionale duhet të jenë kusht bazë për garantimin e shoqërisë për ushtruesit e tyre. Kjo kërkon profesionalizmin dhe etikën e duhur.
7-    Skemë tjetër e financimit publik të Arsimit të Lartë dhe rol tjetër i shtetit në Arsimin e Lartë në përgjithësi?
DHORI KULE: Skemat e financimit nga buxheti për universitetet publike tashmë e kanë krijuar dhe stabilizuar funksionimin e vet në Perëndim dhe nuk janë të vështira për t’u aplikuar, sidomos në kushtet tona, kur ka tendencë të rritjes së masës së fondeve buxhetore me destinacion Arsimin e Lartë. Më e rëndësishme është të bëhet perëndimor administrimi i këtyre fondeve nga universitete publike dhe në këtë aspekt, modeli i universiteteve private mund të përshtatet suksesshëm edhe për universitetet publike.
BESNIK ALIAJ: Unë besoj se mundësia më e mirë mbetet që financimi publik të shkojë te përfituesi. Ndërkohë, shkolla publike duhet të marrë sa më shumë pavarësi vendimmarrjeje dhe financiare. Konkurrenca dhe tregu duhet të normalizohen me instrumente orientues dhe jo bllokues. Duhet të mos ketë më paragjykime mbi konceptet “publik’ apo ‘privat”. Në thelb shërbimi dhe produkti i arsimit është publik, pavarësisht se kush e jep këtë shërbim. Gjithë debatet e tjera pas kësaj mbyllen. Natyrisht, kjo reformë nuk është e lehtë dhe do kohën e vet, por për mua kjo është rruga e vetme që duhet të ecim. Ne nuk mund të shpikim rrotën nga e para. Të shikojmë modelet më të mira në botë dhe në këtë pikë, për fat të keq, Evropa është disi konservatore dhe e ngurtë. Modelet anglo-saksone janë ilaçi më i mirë në një shoqëri, ku pjesa dërrmuese e GDP-së kombëtare gjenerohet nga iniciativa e lirë dhe private.
HENRI ÇILI: Unë jam partizan i një “financimi aktiv” të Arsimit të Lartë, në vend të “financimit pasiv” që është sot: shteti financon direkt universitetin publik dhe atje universiteti publik është falas. Kjo është jo motivuese, është e padrejtë. Nuk na çon përpara. Duhet që shoqëria dhe shteti të financojnë studentin, jo universitetin. Të jetë ai që zgjedh pastaj ku do të shkojë. Kjo krijon garë, motivim, zhvillim. Duhet të adoptojmë sistemin anglo-sankson të Arsimit të Lartë, kundrejt sistemit kontinental evropian, që është në degradim. Të gjithë e dimë që SHBA-të dhe në përgjithësi bota anglo saksone, janë lider në edukimin e lartë në botë, kryesisht për shkak të financimit aktiv të Arsimit të Lartë. Kjo nuk do të thotë që shteti duhet të braktisë shtresat në nevojë, rajonet, degët që duan subvensionim, interesat strategjike. Këto objektiva duhet të financohen sërish në një mënyrë të re. Por, përmes “financimit aktiv” do të kemi mundësi t’u shërbejmë më mirë të gjithëve, edhe shoqërisë, edhe të varfërve, gjatë zhvillimit.

“Brenda vitit, kontroll për cilësinë e diplomave universitare

Rreth 120 mijë studentë në të gjithë vendin nisin sot vitin e ri akademik. Mes jo pak problemeve në infrastrukturë, por edhe me një sërë përmirësimesh në kurrikula, ata ulen sot në auditorët e universiteteve publike e private. Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj, me anë të një konference për shtyp, përshëndeti dje të gjithë studentët e pedagogët. Ai nuk kurseu edhe premtimet për përmirësime të mëtejshme të Arsimit të Lartë në vend, ndërkohë që theksoi se akreditimi i universiteteve do të mbyllet brenda vitit që vjen. “Së shpejti një kompani e huaj fillon punën për të përcaktuar standardet, mbi bazën e të cilave do të bëhet klasifikimi i universiteteve dhe i diplomave shqiptare për nga cilësia e tyre. Deri në fillim të vitit tjetër akademik, ne do të kemi të përfunduar klasifikimin e universiteteve shqiptare, publike e private, për nga cilësia, pra niveli i tyre”, tha Ministri i Arsimit. Ai theksoi se programet mësimore u janë nënshtruar një reforme të thellë, në përmbajtje, në përputhje me standardet e Bolonjës. “Aktualisht në universitet tona kemi rreth 120 mijë studentë. Ekzistojnë të gjitha premisat që në vitin akademik 2013-2014 Shqipëria të ketë 150.000 studentë”, tha Tafaj. Këtë vit akademik universitetet do të ofrojnë të gjitha ciklet e studimeve që përcakton Karta e Bolonjës në të tre nivelet e studimeve. “Vetëm në këtë vit akademik, universitetet publike do të përfitojnë rreth 25 laboratorë të reja mësimore-shkencore, që mundësojnë rritjen e nivelit teorik dhe praktik të studimeve universitare të të gjitha niveleve”, tha Tafaj. Ndërkaq ai shtoi se reforma më e thellë në Arsimin e Lartë në këtë mandat, - do të jetë ajo e sistemit të financimit të arsimit të lartë. Kjo me synim zhvillimin e një modeli të partneritetit publik dhe privat, i cili bën të mundur rritjen e autonomisë së universiteteve publike.                 z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›