Vrasja e dyfishtë,Prokuroria: Çerek shekulli burg
BURREL – Organi i akuzës së Burrelit kërkoi tre ditë më parë dënimin me 25 vjet burg për Vladimir Dacin, të akuzuar si autori vrasjes së dy kushërinjve Vladimir dhe Nikolin Haxhai, në vitin 2001 në fshatin Baz të këtij rrethi. Dosja ndaj Dacit u rihap pas 7 vitesh pasi familjarët e viktimave iu drejtuan prokurores së përgjithshme dhe krerëve të shtetit me letra ku denonconin si autor personin e akuzuar. Sipas organit të akuzës Vladimir Haxhia dhe djali i xhaxhait të tij, Nikolini, u vranë më 6 gusht 2001, në pritë, në një rrugicë të fshatit Baz. Shënjestër e këtij atentati ishte Vladimiri, por plumbat vranë edhe Nikolinin. Pas hetimeve të atëhershme u vendos mbyllja e çështjes pasi nuk u arrit të zbulohej autori. Një vit më parë, pas këmbënguljes së familjarëve të viktimave, Vladimir Daci u cilësua si autor i vrasjes dhe u vu në pranga. Gjok Haxhia, vëllai i viktimës Nikolin Haxhia pohoi në gjykatë më 20 tetor të vitit të kaluar se: “Kam bërë disa denoncime dhe ankesa që nga Presidenti, Kryetari i Parlamentit, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm dhe kam me dhjetëra shkresa. Isha i bindur se ai ishte vrasësi dhe për këtë kisha prova. Që në momentin që erdhën të dy të vdekurit në oborrin e shtëpisë, kunata ime që është motra e Vladimir Dacit, mes vajit i ka thënë nënës time se “vëllai im do i ketë vrarë se i është prishur mendja”. Por dihej edhe konflikti që ishte mes tij dhe djemve të xhaxhait tim për çështjen e grabitjes së një bashkëfshatari tonë, i quajtur Muharrem Gjini”. Pikërisht kjo do të ishte arsyeja që do të sillte më pas një seria vrasjesh. Në mars të vitit 2000, persona të paidentifikuar, në fshatin Kokërdhok të Bushkashit në Mat, plagosën Muharrem Gjinin dhe grabitën familjen e tij. Policia prangosi mes të dyshuarve Kastriot Haxhinë, ndërsa vëllai i tij, Vladimiri ka pohuar atëherë në polici se autori i ngjarjes nuk ishte vëllai i tij Kastrioti, por Vladimir Daci. Kjo deklaratë e thënë në gjykatë u bë shkak për krimin e dyfishtë, ndërsa pak vite më vonë, Vidjana Tarazhi, person me probleme psikike, motra e viktimës Nikolin Haxhia, duke menduar se vrasjen e vëllait të saj e kishte kryer kunati i saj, masakroi me sëpatë në pyll, në shenjë hakmarrje djalin e tij 10 vjeçar. Për këtë krim ajo u dënua me 25 vjet burg dhe tashmë ndodhet në qeli. p.rre