Krimet e Kremlinit
Derisa demokracitë evropiane po e festojnë 20-vjetorin e çlirimit të tyre nga komunizmi dhe sovjetët, Moska po synon ta ripërtërijë dominimin e vet ndaj ish-satelitëve. Rishkrimi i historisë së Rusisë është pjesë e këtij plani. Ideja putiniste e sistemit progresiv sovjetik në të kaluarën, është e përpiluar ta arsyetojë qëndrimin e fortë aktual të Rusisë në rajon. Le të merret parada vjetore në Moskë më 9 maj, me të cilën u festua “fitorja ndaj fashizmit” në përvjetorin e dorëzimit të Gjermanisë naziste tek aleatët. I gjithë manifestimi është i bazuar në iluzionin monumental kombëtar, i ushqyer nga Kremlini. Megjithëqë Rusia ishte njëra nga fuqitë fituese në fund të Luftës së Dytë Botërore, Moska vazhdon ta fshehë faktin historik se vetë Bashkimi Sovjetik e pati ndihmuar fillimin e luftës në aleancë të ngushtë me Gjermaninë naziste. Nëpërmjet marrëveshjes Ribentrop – Molotov, Stalini kishte bërë plane me Hitlerin për copëtimin e Evropës Lindore.
Aktualisht, Rusia e ka intensifikuar fushatën e saj revizioniste, duke pretenduar se vullnetarisht është tërhequr nga komunizmi dhe nga Bashkimi Sovjetik dhe se Lufta e Ftohtë ka përfunduar në marrëveshje me Perëndimin.
Propaganduesit shtetërorë të Rusisë mbajnë qëndrimin se Bashkimi Sovjetik kurrë nuk i kishte okupuar shtetet fqinje, pas Luftës së Dytë Botërore, por i kishte çliruar ato nga tirania. Ata e minimizojnë imponimin e sistemit totalitar të Kremlinit në rajon, që e ndali progresin e tyre politik dhe ekonomik pothuajse për gjysmë shekulli.
Ndryshe nga Gjermania e pasluftës, Moska kurrë nuk ka paguar reparacione për krimet sovjetike dhe shpronësime në Evropën Qendrore dhe Lindore. Moska po ashtu e fsheh faktin se Stalini ka vrarë më shumë rusë dhe shtetas të tjerë sovjetikë, sesa Gjermania naziste. Të dhënat e saj zyrtare prej 27 milionë të vrarëve përfshijnë disa milionë viktima të Stalinit, gjatë deportimeve sovjetike të civilëve dhe spastrimeve ushtarake. Në vend që të pranojë se ishte autore e një politike oportuniste në shkatërrimin e Evropës, Rusia si shtet, që doli nga Bashkimi Sovjetik, e përshkruan vetveten si viktimë dhe si fituese. Rusia ka ndërmarrë edhe një hap tjetër për rishqyrtim të historisë së saj, kur ka formuar një komision presidencial për promovimin e versionit sovjetik të historisë dhe, siç thuhet, për ta kundërshtuar propagandën “anti-ruse”, që e dëmton imazhin ndërkombëtar të këtij vendi. Derisa Rusia i jep shkëlqim të rrejshëm të së kaluarës së saj të errët dhe i tregon muskujt e vet, ekziston frika se ata që e rishkruajnë historinë, mbase mund të jenë të përkushtuar për ta përsëritur atë.
...